Demokracia në Veprim (DnV) ka publikuar raportin e saj të parë mbi ecurinë e zgjedhjeve të sotme, duke theksuar se, pavarësisht disa parregullsive të evidentuara, procesi i votimit në përgjithësi po zhvillohet qetësisht që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00.
Deri në orën 12:00, rreth 12% e qytetarëve me të drejtë vote kishin shfrytëzuar këtë të drejtë, me një marzh gabimi prej +/- 0.4%. Pjesëmarrja ka qenë dukshëm më e lartë në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku ka arritur mbi 24%, gati dyfish më shumë se mesatarja kombëtare. Ndërsa Prishtina dhe Ferizaj kanë regjistruar pjesëmarrjen më të lartë deri tani, me 13.2%, rajonet e Prizrenit dhe Gjakovës shënojnë pjesëmarrjen më të ulët, me 9%.
Në këto zgjedhje, 1,959,962 qytetarë kanë të drejtë vote. DnV kujton se në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, pjesëmarrja në të njëjtën periudhë kohore ishte 13.7%.
**Parregullsitë kryesore të evidentuara në procesin e votimit**
Megjithëse procesi po zhvillohet në përgjithësi qetësisht, DnV ka evidentuar disa parregullsi kryesore. Pavarësisht afateve të shkurtra për organizimin e këtyre zgjedhjeve, KQZ ka informuar votuesit në kohën e duhur për qendrat e tyre të votimit dhe ka mundësuar ndryshimin e tyre përmes platformës online ose Komisioneve Komunale Zgjedhore. Megjithatë, raportohet për ankesa të shumta nga terreni lidhur me këtë çështje.
Deri në orën 12:00, vështirësitë për të gjetur emrin në listën e votuesve, dhe rrjedhimisht për të identifikuar vendvotimin e duhur, janë raportuar në 48% të vendvotimeve. Numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla në shumicën e vendvotimeve. Mirëpo, ka pasur edhe vendvotime (2% e totalit) ku numri i votuesve që nuk kanë gjetur emrin në listë ka arritur deri në 30. Për të shmangur vonesat dhe pakënaqësitë, DnV u bën thirrje votuesve që, para se të nisen për të votuar, të verifikojnë edhe njëherë Qendrën ku janë caktuar të votojnë përmes linkut https://qv.kqz-ks.org.
**Votimi me asistencë**
Një tjetër pikë ku janë vërejtur përmirësime dhe disa parregullsi ka të bëjë me votimin me asistencë. Në përpjekje për të administruar më mirë këtë proces, KQZ detyron të gjithë ata që duan të votojnë me asistencë të paraqesin paraprakisht një dokument mjekësor ose librezë të lëshuar nga specialisti i fushës apo institucioni përkatës. Kjo bëhet për të dëshmuar se ata nuk janë në gjendje të votojnë vetë, pa ndihmës.
Zbatimi më strikt i rregullave për votimin me asistencë, i cili ka filluar që në zgjedhjet e 28 dhjetorit, po rezulton me ulje të theksuar të këtij fenomeni krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore. Raportohet se deri në orën 12:00, më pak se 0.1% e votuesve kanë votuar me asistencë, çka tregon efektivitetin e këtyre masave dhe kufizimin e keqpërdorimeve të mundshme. Ky fenomen është evidentuar në 33% të vendvotimeve, edhe pse në raste shumë të izoluara.
DnV kujton se në zgjedhjet e 28 shkurtit, 1% e votuesve kishin votuar me asistencë në të njëjtin interval kohor, ndërsa më 9 shkurt kjo përqindje ishte edhe më e lartë, rreth 6%.
Deri në mesditë, komisionerët në shumicën dërrmuese të vendvotimeve po zbatojnë rregullat, duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë. Madje, në 32% të vendvotimeve, votuesit që kanë kërkuar të votojnë me asistencë nuk janë lejuar për shkak të mungesës së dokumentacionit mjekësor.
Si trend i përgjithshëm, votimi me asistencë po regjistrohet në Librin e Votimit, por ka pasur raste (në 3% të vendvotimeve, deri në 10 raste) kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave dhe nuk është evidentuar fare. Ky fenomen është më i theksuar në rajonin e Prizrenit, gati dyfish më i lartë se mesatarja kombëtare.
Organi vëzhgues thekson se një asistues ka të drejtë të ndihmojë vetëm një votues, ndërsa komisionerët ose vëzhguesit e akredituar e kanë rreptësisht të ndaluar të ofrojnë çfarëdo asistence në votim. Janë raportuar edhe disa raste të izoluara ku më shumë se një votues ka qëndruar prapa kabinës së votimit, një fenomen i shfaqur në 9% të vendvotimeve.
**Votimi me dokumente të pavlefshme**
Lidhur me votimin me dokumente të pavlefshme, DnV ka konstatuar se në 14% të vendvotimeve ka pasur deri në 4 raste të identifikimit me dokumente të skaduara, në kundërshtim me rregullat që nuk lejojnë votimin me dokumente me afat të skaduar. Ky fenomen është më i theksuar në rajonin e Prizrenit.
**Fotografimi i votës**
Ndërsa për fotografimin e votës, deri në orën 12:00, janë raportuar 12 raste në gjithsej 10 vendvotime specifike, kryesisht në rajonet e Prizrenit dhe Gjakovës. Ky trend është përafërsisht i njëjtë me zgjedhjet e 28 dhjetorit. DnV thekson se fotografimi i votës dhe bërja publike e saj supozohet të ndërlidhet me cenimin e fshehtësisë së votës apo blerjen e saj, si dhe frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij.
