**Dhomat e Specializuara bojkotuan prezantimin e raportit britanik në Hagë**
Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC), i cili javë më parë publikoi një raport të iniciuar me kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës, prezantoi sot në Hagë gjetjet e tij për funksionimin e Dhomave të Specializuara para trupit diplomatik.
Ngjarja u lehtësua nga Ambasada e Kosovës në Hagë dhe u hap nga Ambasadori i Kosovës, Dren Doli.
Por, pavarësisht pranisë së diplomatëve dhe aktorëve të ndryshëm në këtë ngjarje, vetë Gjykata Speciale, megjithëse ndodhet në Hagë ku po mbahej prezantimi, nuk dërgoi asnjë përfaqësues. Këtë e bëri të ditur Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, i cili theksoi se ata ishin ftuar.
“Do të dëshiroja që Dhomat e Specializuara të ishin këtu dhe nuk e di pse nuk kanë ardhur,” u tha të pranishmëve Qelaj.
Ai theksoi se raporti është i pavarur dhe në asnjë mënyrë i ndikuar nga Avokati i Popullit.
Qelaj, në prill të këtij viti, kishte mbajtur një konferencë shtypi ku kishte renditur gjetjet e ekspertëve britanikë sa i përket procesit gjyqësor në Hagë. Ai kishte listuar një sërë shqetësimesh të identifikuara nga raporti.
Si gjetje të parë, Qelaj përmendi kufizimin e të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, duke përfshirë mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimin e komunikimeve familjare dhe profesionale.
“Sa i përket paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti thekson shqetësime serioze për zgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimin e komunikimeve familjare dhe profesionale me mbrojtjen,” kishte thënë ai.
Gjithashtu, raporti kishte ngritur si shqetësim monitorimin sistematik të komunikimeve. Qelaj tregoi se edhe gjatë vizitës që vetë kishte zhvilluar, ishte incizuar gjatë gjithë kohës nga kamerat e vendosura.
“Raporti tregon se mbikëqyrja sistematike e komunikimeve, me të cilën jam ballafaquar edhe unë, sepse në vizitën e vitit 2025 jam vëzhguar nga dy kamera që kanë incizuar gjatë gjithë kohës, pra raporti konstaton se kjo përbën shkelje të Neni 8,” shtoi Qelaj.
Qelaj tha se raporti ngre shqetësime serioze edhe për mungesën e mekanizmave efektivë të mbikëqyrjes demokratike dhe kontrollit institucional.
Raporti, siç theksoi Qelaj, përmendi si shqetësim edhe diskrecionin e gjerë që ka kryetarja e Gjykatës Speciale për të emëruar panele, gjë që mund të ndikojë në perceptimin e paanshmërisë.
“Sa i përket standardit për gjykim të drejtë, raporti konstaton se kryetarja e Dhomave të Specializuara ka diskrecion të konsiderueshëm për të formuar panele, gjë që mund të ndikojë në perceptim për paanshmërinë. Më tej, raporti thekson shqetësime për konsultimet ndërinstitucionale të parapara me rregulloret dhe mungesën e gjyqtarëve nga Kosova,” tha ai tutje.
Qelaj përmendi edhe disa deklarata problematike që janë bërë nga ish-kryeprokurori Jack Smith lidhur me burgimin e përjetshëm dhe deklaratat e kryetares së Gjykatës se nëse ish-krerët e UÇK-së lirohen, ata përbëjnë rrezik. Këto deklarata përbëjnë shqetësime serioze për prezumimin e pafajësisë, integritetin e procesit dhe për lirimin e parakohshëm.
“Konstatimi nga kryetarja e Gjykatës se nëse lirohen këta persona paraqesin rrezik dhe duhet të mbahen në paraburgim, ngre shqetësime serioze jo vetëm për prezumimin e pafajësisë, por edhe për integritetin e procesit dhe lirimin e parakohshëm,” kishte thënë Qelaj.
Ai kishte treguar se deklaratat e Smith dhe kryetares së Dhomave të Specializuara ishin bërë në një takim të tyre me disa diplomatë, ku mbrojtja nuk ishte ftuar fare.
Qelaj përmendi edhe çështjen e pranimit të provave nga Serbia, duke thënë se raporti ka konstatuar mungesë serioze transparence nga ana e Hagës.
“Lidhur me pranueshmërinë e provave nga Serbia, raporti konstaton mungesë transparence serioze, pasi kërkesat e mbrojtjes për zbulimin dhe qasjen në origjinën e materialeve mbeten pa vendim publik. Mungesa e çdo vendimi publik përbën shqetësim për transparencën,” tha ai duke cituar raportin.
Në raport, theksohet gjithashtu rekomandimi për krijimin e një mekanizmi të pavarur për monitorimin e proceseve gjyqësore.
(Burimi: Express)
