Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë IKD-së, refuzon kërkesën e KPM-së

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për anulimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme, duke i dhënë të drejtë Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). Me vendimin e saj të datës 1 qershor 2026, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se pretendimet e KPM-së për shkelje të pavarësisë organizative dhe funksionale janë qartazi të pabazuara në Kushtetutë.

Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, i kontestuar nga KPM-ja, kishte pranuar padinë e IKD-së dhe kishte shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së Punës të KPM-së.

**Historia e çështjes**

Më 29 janar 2025, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv Ehat Miftaraj, kishte ngritur padi ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM). Padia kishte të bënte me ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të saj.

IKD-ja kërkonte shpalljen e paligjshme dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së KPM-së. Ky paragraf ishte shtuar në rregullore gjatë mbledhjes së KPM-së më 17 janar 2025. Gjithashtu, IKD-ja kërkonte që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në të njëjtën mbledhje pas plotësim/ndryshimit të Rregullores, të shpallej i paligjshëm.

Ndryshimi i rregullores, sipas IKD-së, kishte për qëllim të mundësonte zgjedhjen e kryetarit të ri të KPM-së një muaj më herët, përderisa kryetari aktual ishte ende në detyrë, mandati i të cilit skadonte më 21 janar 2025.

Më 10 qershor 2025, Gjykata Supreme kishte aprovuar padinë e IKD-së ndaj KPM-së, duke e shpallur të paligjshëm dhe duke shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së Punës. Po ashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë, me vendimin e datës 17 dhjetor 2025, vlerësoi se padia e IKD-së ishte e themeltë dhe se vendimi i KPM-së për zgjedhjen e kryetarit ishte i kundërligjshëm.

**Kërkesa e KPM-së në Gjykatën Kushtetuese**

KPM-ja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kontestuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme të 10 qershorit 2025. Ajo kërkoi që Gjykata Kushtetuese të konstatonte se KPM-ja kishte vepruar në pajtim me Kushtetutën dhe të konfirmonte pavarësinë e saj organizative dhe funksionale si institucion i pavarur kushtetues. KPM-ja pretendoi se i ishin shkelur të drejtat dhe liritë themelore, veçanërisht nenet 31 (E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm) dhe 141 (Komisioni i Pavarur i Mediave) të Kushtetutës së Kosovës.

KPM-ja argumentoi se Rregullorja e Punës ishte ndryshuar me qëllim që kryetari i ri të votohej më herët, me kusht që mandati i tij të fillonte pas skadimit të mandatit të kryetarit aktual, në pajtim me praktikën e Gjykatës Kushtetuese. Sipas KPM-së, Gjykata Supreme, në mungesë të një shkalle të rregullt për rishikimin e vendimeve të saj, kishte vendosur në mënyrë arbitrare për një çështje thelbësore që prek statusin kushtetues të KPM-së, duke lënë të kuptohet se KPM-ja duhej t’u kërkonte mendim subjekteve të jashtme se si dhe kur mund ta zgjedhë kryetarin e saj.

Gjithashtu, KPM-ja pretendoi se Gjykata Supreme nuk kishte marrë parasysh pavarësinë funksionale të institucionit dhe kishte anashkaluar nenet 6 dhe 10, paragrafi 4 të Ligjit për KPM-në, të cilat, sipas saj, garantojnë pavarësinë në punën dhe aktivitetet e Komisionit. Ajo theksoi se Rregullorja e Punës është një akt i brendshëm që rregullon ekskluzivisht funksionimin e brendshëm të anëtarëve dhe Zyrës Ekzekutive të KPM-së, dhe nuk prek interesat e publikut të gjerë apo të subjekteve mediale. Prandaj, KPM-ja kundërshtoi qëndrimin se kjo rregullore duhej t’i nënshtrohej konsultimit publik.

**Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese**

Në shqyrtimin e pretendimeve të KPM-së, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe praktikën e saj, ajo mund t’i shpallë kërkesat të papranueshme nëse përmbajtja e tyre është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se pretendimet e KPM-së lidhen thelbësisht me interpretimin arbitrar të së drejtës materiale nga Gjykata Supreme. Ajo ka theksuar se GJEDNJ-ja vazhdimisht ka deklaruar se nuk është detyrë e saj të trajtojë gabimet faktike ose ligjore të gjykatave vendore, përveç nëse ato janë të dukshme dhe përbëjnë shkelje të të drejtave dhe lirive të mbrojtura me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Kushtetuesja ka konsideruar se Gjykata Supreme u ka dhënë përgjigje të gjitha pretendimeve të KPM-së, duke elaboruar të drejtën materiale dhe procedurale të aplikueshme në rastin konkret. Gjykata Kushtetuese ka arritur në përfundimin se nga arsyetimi i Gjykatës Supreme nuk rezultojnë as “zbatim i ligjit në mënyrë qartazi të gabuar” dhe as “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme”.

Për më tepër, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se KPM-së i ishte dhënë mundësia e paraqitjes së argumenteve dhe provave në faza të ndryshme të procedurës. Rrjedhimisht, pretendimet e KPM-së për mungesën e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm janë konsideruar “pretendime të shkallës së katërt” dhe, si të tilla, qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Gjithashtu, pretendimet e KPM-së për shkelje të pavarësisë organizative dhe funksionale janë konstatuar si qartazi të pabazuara, për shkak të “mungesës evidente të shkeljes”.