Ish-portieri italian dhe analisti i Sky Sport, Luca Marcheggiani, ka analizuar fitoren bindëse 3-0 të Milanit ndaj Lecces, duke vlerësuar se skuadra e drejtuar nga Ruben Amorim mund t’i shfrytëzojë më mirë cilësitë e futbollistëve me një formacion që përfshin katër mbrojtës.
Fitorja e Milanit ndaj Lecces së Eusebio Di Francescos ka rikthyer diskutimet rreth sistemit taktik që i përshtatet më shumë kuqezinjve.
Duke folur në studion e Sky Sport, Luca Marcheggiani theksoi se zgjedhja e formacionit ka ndikuar në mënyrën se si trajneri Ruben Amorim i ka aktivizuar futbollistët e tij.
“Është normale që, pak nga pak, trajneri të zgjedhë lojtarët më të mirë. Shumë gjëra janë kushtëzuar nga nevoja për t’i vendosur futbollistët në kushtet e duhura, pasi shumë prej tyre po ktheheshin nga Kupa e Botës”, deklaroi Marcheggiani.
“Milani është më i përshtatshëm për sistemet 4-3-3 ose 4-2-3-1”
Sipas analistit italian, përbërja aktuale e Milanit i përshtatet më shumë një sistemi me katër mbrojtës sesa një formacioni që kërkon nga lojtarët e krahut të mbulojnë të gjithë gjatësinë e fushës.
“Më intereson diskutimi për sistemin e lojës. Të gjithë po thoshim se kjo është një skuadër më e përshtatshme për formacionet 4-3-3 ose 4-2-3-1”, u shpreh ai.
Marcheggiani veçoi mungesën e një mbrojtësi të djathtë tipik, duke theksuar se përshtatja e G hilas në atë pozicion nuk i krijon kushtet më të mira për të shprehur cilësitë e tij.
“Milani nuk ka një mbrojtës të djathtë të mirëfilltë. Gila, i përshtatur në atë pozicion, nuk ndodhet në situatën më të favorshme për të”, shpjegoi analisti.
Ndryshimi taktik që i dha më shumë hapësirë Milanit
Marcheggiani vlerësoi se sistemi i përdorur ndaj Lecces funksionoi veçanërisht mirë për shkak të hapësirave që kundërshtari la në dispozicion të Milanit.
“Në ndeshje të tilla, kundër kundërshtarëve që të lejojnë hapësira dhe kundërsulmojnë me më pak cilësi, ishte e qartë se kjo përbënte një zgjidhje të mirë. Lojtarët vendosen në pozita ku ndihen më rehat”, tha ai.
Ai përmendi edhe lëvizjet në krahun e djathtë, ku futbollistët mund të kombinojnë më lehtë kur anësori futet drejt qendrës dhe mbrojtësi ngjitet në sulm.
“Kur ke një anësor të djathtë që futet në qendër për të përdorur këmbën e majtë, krijohen mundësi për mbivendosje. Sot Gila u ngjit në krah”, shpjegoi Marcheggiani.
Sipas tij, edhe pozicionimi i Moreiras më lart në fushë ishte një zgjedhje e përshtatshme.
“Sot e përdori Moreiran si lojtar krahu në pozicion të avancuar. Kjo është më mirë sesa t’i kërkosh të mbulojë të gjithë krahun”, shtoi ai.
Marcheggiani për Gonçalo Ramosin: Nuk shqetësohet që shënojnë të tjerët
Analisti i Sky Sport foli edhe për Gonçalo Ramosin, i cili nuk arriti të shënonte në fitoren ndaj Lecces.
Sipas Marcheggianit, sulmuesi nuk duket i shqetësuar nga mungesa e golave personalë dhe vazhdon ta përjetojë pozitivisht suksesin e skuadrës.
“Ai nuk është xheloz që të tjerët po shënojnë. Kjo shihet nga mënyra se si reagoi gjatë festimeve. Edhe Moreiran e përqafoi”, tha Marcheggiani.
“Nga ky këndvështrim, nuk duket se po vuan për faktin që po shënon pak”, përfundoi analisti italian. /GazetaExpress/
