Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, ka thënë se procesi i apelimit është mjeti kryesor për ndryshimin e aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një postim në Facebook, Muharremi ka vlerësuar se rreth 90 për qind e rëndësisë duhet t’i kushtohet procesit të apelit, ndërsa protestat dhe iniciativat ligjore kanë ndikim më të kufizuar.
Sipas tij, shteti duhet të fokusohet në sigurimin e fondeve, angazhimin e avokatëve të nivelit më të lartë dhe diplomacinë proaktive.
Muharremi ka propozuar këtë ndarje të prioriteteve, 75 për qind për fondet dhe avokatët, 15 për qind për diplomacinë, 7 për qind për protestat dhe 3 për qind për iniciativat ligjore në Kuvend.
Ai i ka cilësuar protestat si veprime përkrahëse dhe solidarizuese, por ka thënë se ato nuk kanë efekt të drejtpërdrejtë te vendimmarrësit në Hagë.
