**Ish-diplomati Robert Bosch: E detyruam Thaçin të pranonte Gjykatën Speciale, ndihem thellësisht keq për vendimin**
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, në kohën e themelimit të Dhomave të Specializuara, ka shprehur zhgënjim dhe kritikë të ashpër pas vendimit të kësaj gjykate kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Bosch akuzoi Dhomat e Specializuara se po veprojnë vetëm për të kënaqur Serbinë. Ai mori përgjegjësi personale për ndihmën në krijimin e kësaj gjykate, duke theksuar se institucionet kosovare u detyruan ta pranonin atë, duke besuar në një drejtësi e cila nuk u realizua kurrë.
Bosch shprehu tronditje të thellë, duke deklaruar se vendimi ishte krejtësisht i papritur. Ai vuri në dukje se gjykata kishte injoruar dëshmitarë të profilit të lartë si Wesley Clark, James Rubin dhe Christopher Hill, të cilët kishin theksuar mungesën e një strukture komanduese formale brenda UÇK-së. Për këtë arsye, Thaçi nuk mund të mbante përgjegjësi për veprimet individuale në terren. “Nëse kjo injorohet tërësisht, diçka nuk është në rregull me gjyqtarët dhe prokurorët. Mendoj se është ekstremisht ofenduese,” citohet të ketë thënë Bosch.
Ai theksoi se vendimi është ose produkt i mungesës së plotë të kuptueshmërisë, ose i keqdashjes së qëllimshme për t’u shërbyer interesave serbe. “Kjo nuk është normale, është anormale,” shtoi ai.
Ish-ambasadori shprehu indinjatë edhe ndaj përgjigjes së Bashkimit Evropian, duke e quajtur “krejtësisht të panevojshme” dhe të pasaktë deklaratën e tyre mbi një qasje të drejtë dhe të balancuar të gjykatës. Sipas Bosch, vendimi ishte “i pabalancuar dhe i padrejtë”.
Lidhur me procesin e Apelit, Bosch nuk shprehu shumë shpresë, duke parashikuar se do të jenë të njëjtët individë që do të merren me çështjen. Ai sugjeroi ndërhyrjen e Presidentit Trump, duke argumentuar se çështja ka shkuar “shumë larg”. Bosch ritheksoi se koncepti i “Gjykatës së Kosovës” ishte i gabuar që në fillim, pasi ajo nuk ndjek ligjet kosovare dhe nuk ka gjyqtarë apo prokurorë kosovarë, por kryesisht amerikanë. Ai mori sërish përgjegjësinë për këtë vendim të gabuar historik.
Duke reflektuar mbi rolin e tij, Bosch rrëfeu se personalisht e kishte siguruar Hashim Thaçin se do të lirohej shpejt në mungesë provash, duke e shtyrë kështu të pranonte gjykatën. “I shkreti ia vendosi vetes lakun në fyt,” tha Bosch, duke shtuar se Thaçi dhe të tjerët “nuk e kërkuan këtë, por u detyruan ta bënin nga njerëz si unë.” Ai ndjehet “shumë keq” për këtë, duke theksuar se ishte një urdhër nga Haga, të cilin si ambasador duhej ta përmbushte, megjithëse jozyrtarisht kishte shprehur mospajtimin e tij.
Bosch e cilësoi vendimin si “të dëmshëm” për Kosovën dhe drejtësinë, duke theksuar se të vetmit që po festojnë janë “kriminelët e luftës në Serbi”, të cilët janë në pushtet ndërsa krerët e UÇK-së janë në burg. Ai shprehu shqetësim për imazhin e krijuar nga media ndërkombëtare, e cila thjesht përsërit narrativën e gjykatës, duke paraqitur një pamje të gabuar dhe të padrejtë të ish-liderëve kosovarë si përgjegjës për krime. “Kjo është ofenduese, pasi gjykata në një farë mënyre i quajti gënjeshtarë [dëshmitarët ndërkombëtarë], nuk u interesua çfarë kishin për të thënë dhe nuk iu besoi,” përfundoi Bosch, duke nënvizuar se kjo është “shumë keq”.
