Kërkesë e Lartë për Finalen Kosovë-Turqi, Organizatorët Apelojnë për Mirëkuptim

Interesimi masiv i tifozëve për finalen e futbollit ndërmjet kombëtares së Kosovës dhe asaj të Turqisë ka tejkaluar ndjeshëm kapacitetet e stadiumit, duke lënë pa bileta një numër të madh të të interesuarve. Organizatorët kanë shprehur keqardhje të thellë për këtë pamundësi dhe kanë kërkuar mirëkuptim nga ana e publikut.

Ata theksuan se dhjetëra mijëra kërkesa për bileta nuk mund të plotësoheshin, pasi kapacitetet aktuale të tribunave janë të kufizuara dhe të pazgjerueshme.

Në një deklaratë zyrtare, organizatorët theksuan: “Na vjen sinqerisht keq për secilin tifoz që dëshironte të ishte pjesë e kësaj ngjarjeje madhore, por nuk arriti të sigurojë një biletë. Kemi bërë maksimumin brenda përgjegjësive tona.”

Organizatorët sqaruan se anëtarët vjetorë i kanë biletat të garantuara. Ata duhet të paraqiten pranë Fan Club-it përkatës duke filluar nga ora 17:30, të pajisur me kartelën e anëtarësimit, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mundësohet hyrja dhe tërheqja e biletave.

Gjithashtu, u bë apel për të shmangur grumbullimet e panevojshme dhe tollovitë, duke theksuar se procesi i hyrjes është organizuar për të rrjedhur sipas planit të paracaktuar.

Në prag të ndeshjes, organizatorët theksuan se përgjegjësia për mbarëvajtjen e saj i takon të gjithëve – qoftë në aspektin organizativ, qoftë në mbështetjen e ekipit kombëtar. Tifozët u ftuar të japin maksimumin në përkrahje dhe të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere sportive shembullore.

U apelua gjithashtu që të gjithë të pranishmit të vishen me ngjyrat kombëtare, si simbol i unitetit dhe përkrahjes së palëkundur për ekipin.

Në fund, u shpreh besimi i plotë dhe mbështetja e patjetërsueshme për futbollistët, me shpresën për arritjen e një suksesi të madh në këtë përballje vendimtare.