**Mensur Bunjaku i arrestuar: Dyshohet për kanosje ndaj zyrtarit të AUV-it gjatë detyrës**
Mensur Bunjaku është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kanosur një zyrtar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Rasti ishte denoncuar fillimisht më 2 qershor, kur zyrtari i AUV-it kishte raportuar se ishte kërcënuar brenda ambienteve të institucionit.
Pas veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave, Policia e kishte iniciuar rastin si vepër penale “Kanosje”, ndërsa kishte nisur procedurat për intervistimin e të dyshuarit.
Bunjaku, në fillim, nuk ishte gjendur nga hetuesit, të cilët i kishin lënë një ftesë zyrtare për t’u paraqitur në polici.
Më 16 qershor, ai është paraqitur në stacionin policor, ku është intervistuar në lidhje me pretendimet e ngritura ndaj tij.
Pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit kujdestar, Mensur Bunjaku është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
**Shënim:** Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
