Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka shprehur shqetësim serioz për shpërfilljen e vazhdueshme nga ana e qeverisë së Kosovës ndaj thirrjeve të SHBA-së për përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e gazit natyror të lëngshëm (LNG).
OEAK thekson se Kosova varet shumë nga prodhimi i vjetruar i energjisë, importet e mëdha të elektricitetit dhe një treg energjetik rajonal i paqëndrueshëm. Prandaj, qasja në LNG-në amerikane është një mundësi energjetike dhe një zgjedhje strategjike. Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrencës ekonomike duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të Kosovës.
Në komunikatën e Odës thuhet se është veçanërisht shqetësuese që të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë zotuar të bëhen pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila mbështetet fuqishëm nga SHBA-ja. Kosova rrezikon të mbetet jashtë kësaj kornize strategjike që po përcakton të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore.
Oda Amerikane thekson se partneriteti strategjik i Kosovës me SHBA-në është një nga asetet më të rëndësishme kombëtare. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës rrezikon të ndikojë negativisht në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti.
Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje institucioneve të Kosovës të rivlerësojnë me kujdes pasojat afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike nëse mbetet jashtë nismave rajonale për LNG-në. Ajo kërkon që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive me SHBA-në për këtë çështje me rëndësi të veçantë.
