**Kosova përgatitet për finalen historike, FFK publikon pamje nga stadiumi**

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka publikuar një video në platformat sociale, duke treguar pamje nga stadiumi “Fadil Vokrri” pak orë para finales së madhe të ‘play-off’-it për Kupën e Botës, ku Kosova do të përballet me Turqinë.

Pamjet e publikuara nga FFK-ja shfaqin stadiumin “Fadil Vokrri” të gatshëm për të pritur atë që cilësohet si ndeshja më e rëndësishme në historinë e futbollit kosovar.

Në postimin zyrtar, FFK-ja thekson: “Gjithçka është gati për finalen e madhe ndaj Turqisë. Sonte luhet për ëndrrën.”

Përballja mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet sonte, duke nisur nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Skuadra fituese e kësaj ndeshje historike do të sigurojë kualifikimin në Kupën e Botës FIFA 2026, e cila do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.