Debati për Presidentin/en lë në Hije Reformat, Vlerësojnë Analistët

Debati politik në vend po dominohet nga çështja e zgjedhjes së presidentit, ndërsa mungon diskutimi për programet qeverisëse dhe reformat. Këtë e vlerësojnë analistë politikë, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre, partitë politike duhet të fokusohen në arritjen e kompromisit për politikat qeverisëse, e jo vetëm në ndarjen e posteve institucionale.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një intervistë për Ekonomia Online, theksoi se rezultatet e tre palë zgjedhjeve kanë treguar se qytetarët presin një kompromis më të gjerë politik dhe shoqëror. Megjithatë, ai vuri në dukje se partitë nuk kanë diskutuar për politika konkrete qeverisëse.

Arifi shpjegoi se qytetarët, përmes votës, u kanë treguar partive pozicionin e tyre politik dhe kërkesën për kompromis në çdo institucion, me qëllim ndërtimin e një mirëqenieje më të mirë. “Vihet re se partitë politike nuk e kanë këtë çështje objektiv. Nga shkurti i vitit të kaluar deri në mes të qershorit, nuk kam parë që partitë të jenë ulur dhe të kenë biseduar për politika sektoriale. Nëse dëshirojmë kompromis, cilat reforma do të bëjmë? Në arsim, shëndetësi, ekonomi? Opozita duhet të debatojë me partinë fituese rreth këtyre fushave, të cilat do të përbëjnë pikat programore të qeverisjes,” deklaroi Arifi.

Sipas tij, debati politik është përqendruar pothuajse tërësisht te çështja e presidentit, ndërsa ka munguar diskutimi për përmbajtjen programore.

“Nuk kemi parë përmbajtje; ajo që kemi parë nga shkurti [i vitit të kaluar] deri në qershor [të këtij viti] është se partitë diskutojnë vetëm për një post, atë të presidentit. Kjo është absurde, sepse të gjithë e dimë që presidenti ka kryesisht fuqi kushtetuese dhe unifikuese, jo ekzekutive të madhe. Kjo tregon se partitë nuk dëshirojnë të qeverisin, por thjesht të sundojnë,” theksoi ai. Arifi e cilësoi këtë si një “sundim të palegjitimuar” dhe kritikoi mungesën e një opozite reale, gjë që, sipas tij, ka bërë që pushteti të sillet në mënyrë të tillë si me shtetin, ashtu edhe me qytetarët. Ai e konsideroi qasjen e fokusimit të debatit vetëm te presidenti si të gabuar si nga partia në pushtet, ashtu edhe më e gabuar nga partitë opozitare. “Ne duhet të flasim për politikat qeverisëse fillimisht, pastaj vijnë postet,” përfundoi ai.

Arifi vlerësoi se mungesa e institucioneve të plota dhe legjitime po ndikon negativisht edhe në proceset integruese të vendit.

Ai paralajmëroi se partnerët evropianë dhe amerikanë dëshirojnë një shtet më funksional, pasi aktualisht Kosova nuk është plotësisht e tillë, për shkak të mungesës së institucioneve legjitime që mund të marrin vendime serioze, si në politikën e jashtme ashtu edhe të brendshme. “Mungesa e funksioneve legjitime e largon Kosovën nga anëtarësimi në NATO dhe BE, si dhe nga çdo zhvillim i mëtejshëm shoqëror. Jemi në pikën ku shoqëria do të bëjë pyetjen: Çfarë tutje? Edhe nëse e zgjedhim presidentin në mënyrë arbitrare, çfarë tutje? Nuk ka përmbajtje. Për fat të keq, jemi duke shkuar drejt një rruge e cila do të prodhojë sërish zgjedhje, nëse vazhdohet me të njëjtin mentalitet,” theksoi Arifi.

Nga ana tjetër, analistja politike Afërdita Maliqi theksoi se edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor, sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit.

“Nga rezultati zgjedhor, Vetëvendosja sërish është e para dhe sërish me këtë rezultat mund të formojë qeverinë e vetme. Mirëpo, ne nuk kemi shkuar në zgjedhje për qeveri; në këto zgjedhje kemi shkuar për shkak se nuk kishte një vullnet politik dhe as një konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Sërish problematika do të jetë te zgjedhja e presidentit. Dëgjova një deklaratë të kryeministrit në detyrë, i cili tha se partitë politike që kanë qenë në opozitë duhet ta ndryshojnë qasjen lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit,” citohet të ketë thënë Maliqi.

Ajo vlerësoi se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kësaj çështjeje mund të mbetet e njëjtë si në legjislaturën e kaluar.

“Kjo tregon se Lëvizja Vetëvendosje do të ketë të njëjtën logjikë dhe ndoshta të njëjtën qasje që ka pasur pas zgjedhjeve të kaluara, kur nuk u zgjodh presidenti i vendit. Ajo i ftonte partitë politike në takime, por ato takime nuk prodhuan zgjidhje, sepse partitë e tjera politike nuk e shihnin serioze atë që u ofrohej, me të drejtë. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ose kryeministri në detyrë theksonte se partitë politike nuk ishin të gatshme të bashkëpunonin apo të votonin atë çfarë u ofronte Kurti, dhe kështu u gjendëm në situatën aktuale,” shpjegoi ajo për EO.

Maliqi shtoi se partitë opozitare nuk kanë dhënë sinjale për ndryshim të qëndrimeve të tyre lidhur me zgjedhjen e presidentit.

“Pra, shoh sërish të njëjtin skenar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sepse, nëse u thuhet partive ‘duhet të ndryshoni qasjen’, kjo nënkupton se ato duhet t’i nënshtrohen asaj çfarë propozon Kurti. Unë mendoj se partitë e tjera e kanë pasur një qasje të caktuar lidhur me presidentin, kanë treguar se çfarë janë në gjendje të votojnë, dhe nuk besoj se e kanë ndryshuar. E kuptoj Lidhjen Demokratike, e cila është në një situatë tjetër tani, pasi ka pasur kandidat për president dhe nuk ka votat e mjaftueshme as t’ia sigurojë nënshkrimet atij kandidati. Por, PDK-ja dhe AAK-ja janë në të njëjtat pozicione,” përfundoi Maliqi.