**Studimi: Punët Stresuese Lidhen me Rrezikun e 5 Llojeve të Kancerit**
Një profesion stresues, i ushtruar për 15 vite, mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e pesë llojeve të ndryshme të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse, paralajmërojnë shkencëtarët.
Ndërkohë, disa studime kanë evidentuar një lidhje mes faktorëve të ndryshëm psikologjikë dhe rritjes së rrezikut për zhvillimin e kancerit, ndërsa të tjera e kanë kundërshtuar këtë tezë.
Për të qartësuar këtë lidhje, studiues shkencorë nga Universiteti i Kebekut krahasuan shfaqjen e kancerit te meshkujt me nivelin e stresit të lidhur me punën.
Ngarkesa e lartë në punë dhe presioni i afateve nuk ishin të vetmet burime stresi të përmendura nga pjesëmarrësit në studim. Pasiguria në vendin e punës, vështirësitë financiare dhe ndërveprimi i vazhdueshëm me klientët u renditën gjithashtu nga 3100 pacientë të diagnostikuar me kancer si faktorë kontribuues në nivelin e lartë të stresit.
Faktorë të tjerë të cituar prej tyre përfshinin kushtet e vështira apo sfiduese të punës, mbikëqyrjen e rreptë të punonjësve, konfliktet ndërpersonale, etj.
Në përfundim të studimit, shkencëtarët vunë re një lidhje të qartë ndërmjet punës stresuese dhe pesë llojeve të caktuara të kancerit: atij të stomakut, mushkërive, zorrës së trashë, zorrës së hollë dhe limfomës jo-Hodgkin.
Shkencëtarët besojnë se stresi mund t’i shtyjë individët drejt zakoneve të dëmshme si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe ushqyerja e tepërt.
Ndër profesionet më stresuese, sipas ekspertëve, renditen: zjarrfikësit, inxhinierët industrialë, mekanikët dhe punonjësit e hekurudhave.
