Me Botërorin 2026 në kulmin e zhvillimit të tij, disa pyetje rreth fanellave vazhdojnë të ngrihen nga tifozët.
Gjatë turneut, i cili po zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, tifozët kanë vënë re disa detaje të veçanta në fanellat e lojtarëve.
Për shembull, tre lojtarë – Harry Kane, Kylian Mbappé dhe James Rodríguez – kanë mbajtur stemën e “Këpucës së Artë” për të shënuar faktin se e kanë fituar këtë çmim në Botërorët e mëparshëm.
Një stemë e ngjashme është e vendosur edhe në fanellat e portierëve që kanë fituar “Dorëzën e Artë”, me argjentinasin Emiliano Martínez, belgun Thibaut Courtois dhe gjermanin Manuel Neuer që e mbajnë atë gjatë këtij turneu.
Po ashtu, logot e arta të turneut mbahen nga lojtarët e kombëtareve që e kanë fituar më parë Botërorin – Argentina, Uruguai, Gjermania, Brazili, Anglia, Franca dhe Spanja.
Të gjitha kombëtaret e tjera mbajnë stema të zeza ose të bardha, në varësi të ngjyrës së fanellës së tyre.
Poshtë stemës së turneut mund të shihen edhe simbole më të vogla. Disa lojtarë, si Lamine Yamal dhe Erling Haaland, mbajnë stemën e debutimit për të shënuar paraqitjen e tyre të parë në një Kupë Bote.
Nga ana tjetër, stemat “Legacy” janë mbajtur nga Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Luka Modrić, Neuer dhe Yuto Nagatomo për të treguar se kanë marrë pjesë në pesë ose më shumë Botërorë.
Ndërkohë, kombëtaret fituese të Kupës së Botës mbajnë gjithashtu yje mbi stemën e tyre. Argjentina, fituese tri herë e trofeut, mban tre yje të artë gjatë këtij turneu.
Kombëtaret afrikane të Egjiptit dhe Senegali zakonisht mbajnë yje për të përkujtuar sukseset e tyre në Kupën e Kombeve të Afrikës, por atyre iu kërkua nga FIFA t’i hiqnin për të shmangur konfuzionin para Botërorit.
Edhe ngjyra e fanellave të disa kombëtareve ka qenë objekt diskutimi, me tifozët që pyesin pse disa vende luajnë me fanella që nuk ngjajnë fare me flamujt e tyre kombëtarë.
Një shembull është Gjermania, e cila tradicionalisht luan me fanellë të bardhë në shtëpi, me detaje të zeza, të kuqe dhe të verdha.
Tre ngjyrat e fundit janë pjesë e flamurit gjerman, por e bardha – ngjyra dominuese e fanellës – nuk është. Megjithatë, ekziston një shpjegim interesant.
Arsyeja pse Gjermania luan me të bardha lidhet me flamurin e Prusisë, një shtet historik gjerman që shtrihej nga kufiri i Rusisë së sotme deri në Francë.
Prusia ishte forca kryesore pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1871, por u shpërbë në vitin 1947 pas Luftës së Dytë Botërore. Territoret e saj të dikurshme sot janë pjesë e disa shteteve moderne, përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Rusinë dhe Lituaninë.
Ngjyrat bardh e zi ishin gjithashtu pjesë e ngjyrave të Perandorisë Gjermane, e cila kombinonte ngjyrat e Prusisë me ato të Lidhjes Hanseatike, duke krijuar kombinimin e zi, të bardhë dhe të kuq.
Kur kombëtarja gjermane e futbollit u formua për herë të parë, ajo vendosi të përdorte ngjyrat bardh e zi të flamurit të Prusisë. Edhe pse Mbretëria e Prusisë u shpërbë vite më vonë, kombëtarja vendosi t’i ruante ato ngjyra.
Flamuri i Prusisë përfshinte gjithashtu një shqiponjë të zezë, e cila sot paraqitet në stemën shtetërore të Gjermanisë dhe në emblemën zyrtare të kombëtares.
Gjermania rikthehet në aksion në Botërorin 2026 më 20 qershor kundër Bregut të Fildishtë, pasi e nisi Grupin E me një fitore bindëse 7-1 ndaj Curaçaos./GazetaExpress/
