Ushtria amerikane ka kryer një tjetër sulm ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor. Si pasojë e kësaj ndërhyrjeje, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa gjashtë të tjerë kanë mbijetuar.

Ky operacion shënon sulmin e fundit në kuadër të fushatës së administratës së Presidentit amerikan Donald Trump kundër grupeve që Uashingtoni i konsideron “narkoterroriste”.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i sulmeve të tilla ka kaluar shifrën 60, ndërsa mbi 210 persona janë vrarë që nga fillimi i operacioneve në shtator të vitit të kaluar.

Statusi i gjashtë të mbijetuarve të sulmit të fundit nuk është ende i qartë.

Komanda Qendrore e SHBA-së ka bërë të ditur se ka njoftuar Rojet Bregdetare amerikane për rastin, por kjo e fundit nuk ka dhënë detaje lidhur me operacionet e kërkim-shpëtimit.

Komanda Jugore e SHBA-së deklaroi se anija ishte vënë në shënjestër përgjatë një rruge të njohur të trafikut të drogës. Megjithatë, ushtria amerikane nuk ka publikuar prova që vërtetojnë se mjeti lundrues po transportonte lëndë narkotike.

Një video e publikuar në rrjetin social X tregon anijen duke lëvizur me shpejtësi në det, përpara se të goditet nga një predhë dhe të marrë flakë.

Presidenti Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara ndodhen në një “konflikt të armatosur” me kartelet e drogës në Amerikën Latine, duke argumentuar se sulmet janë të domosdoshme për të frenuar trafikun e narkotikëve drejt SHBA-së dhe për të parandaluar vdekjet nga mbidozat.