Përfaqësuesja e futbollit të Iranit ka lënë një shënim falënderimi në zhveshtoren e stadiumit “SoFi” në Los Anxheles, pas barazimit pa gola 0:0 me Belgjikën mbrëmjen e së dielës. Në shënim, ekipi iranian falënderonte Los Anxhelesin për mikëpritjen gjatë Kupës së Botës, duke theksuar se po largoheshin me dinjitet.

Me këtë barazim, Irani mbajti gjallë shpresat për avancim në fazën nokaut të turneut.

Los Anxhelesi priti dy ndeshjet e para të Iranit. Ndërmjet dy takimeve, ekipi iranian u kthye në bazën e tij në Tijuana, Meksikë. Kjo zgjidhje logjistike erdhi për shkak të kufizimeve të udhëtimit të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat gjithashtu penguan një pjesë të stafit të përfaqësueses të pajisej me viza hyrëse në SHBA.

Në shënimin e shkruar me dorë, i cili u publikua nga federata iraniane, citohej: “Nga Persia e lashtë mijëra vjet, deri tek Irani i civilizuar i sotëm, shpirti i Iranit mbetet i gjallë dhe i palëkundur.” Më tej, shënimi shtonte: “Faleminderit Los Anxheles për mikëpritjen. Erdhëm në Los Anxheles me krenari, garuam me nder dhe u larguam me dinjitet.”

Gjithashtu, aty falënderoheshin mbështetësit iranianë që dhanë “zemrën, zërin dhe shpirtin” e tyre për ekipin gjatë dy ndeshjeve. Shënimi përfundonte me një thirrje për paqe, respekt dhe miqësi midis të gjitha vendeve.

Trajneri i Iranit, Amir Ghalenoei, ka kritikuar vazhdimisht kufizimet e udhëtimit të vendosura ndaj ekipit, duke theksuar se skuadra iraniane është përballur me sfida që asnjë ekip tjetër nuk ka qenë nevoja t’i durojë.

Në ndeshjen e parë të luajtur në Los Anxheles, Irani kishte barazuar 2:2 me Zelandën e Re. Ndeshjen e tretë dhe të fundit në grup, Irani do ta luajë kundër Egjiptit në Sietëll.