Krasniqi: Deputetët joshumicë të gatshëm ta votojnë Qeverinë e re

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se deputetët e komuniteteve joshumicë janë të gatshëm të mbështesin formimin e institucioneve të reja të vendit.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Krasniqi u shpreh se grupi multietnik ka numra të mjaftueshëm për të siguruar votëbesimin e qeverisë së re dhe u bëri thirrje partive politike të reflektojnë mbi vullnetin e shprehur nga qytetarët.

“Grupi multietnik, i cili përbëhet nga 8 ose 9 deputetë, është i gatshëm dhe i interesuar që sa më parë, bashkë me fituesin e zgjedhjeve, të formojë institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo garanton një numër të mjaftueshëm për votëbesimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Kjo është gjithçka që mund të them në këtë aspekt,” theksoi Krasniqi.

Ai shtoi se “zgjedhjet u mbajtën dhe prodhuan një rezultat përafërsisht të njëjtë me zgjedhjet e kaluara. Kështu, qytetarët presin që sa më parë të ketë institucione, të kemi një qeveri të re dhe një kuvend funksional, si dhe të zgjidhet kriza rreth zgjedhjes së presidentit. Besoj se qytetarët kanë folur dhe partitë politike tashmë duhet të reflektojnë mbi verdiktin e tyre.”