Foda i zhgënjyer pas humbjes ndaj Turqisë: Nuk e mendoj largimin, objektivi mbetet kualifikimi në Evropian
Pas humbjes së Kosovës përballë Turqisë, përzgjedhësi Franco Foda nuk e fshehu zhgënjimin për rezultatin, por njëkohësisht theksoi krenarinë për angazhimin dhe performancën e skuadrës së tij.
Ai deklaroi se ekipi tregoi karakter, përkushtim dhe dinjitet në fushë, duke shtuar se ndihej krenar me mënyrën se si futbollistët përfaqësuan Kosovën gjatë këtij rrugëtimi kualifikues.
Në prononcimin e tij pas ndeshjes, Foda shprehu dëshpërimin, por edhe optimizmin dhe falënderimet për tifozët: “Sot jemi të gjithë të mërzitur, [megjithëse fitorja] ishte e mundur edhe ndaj Turqisë. Jam shumë krenar me ekipin dhe mendoj se e kemi përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne, bashkë me futbollistët, kemi parë entuziazmin e jashtëzakonshëm të kosovarëve. Falënderoj të gjithë tifozët e Kosovës, si ata në stadium, ashtu edhe ata jashtë tij. Më e rëndësishmja është që populli i Kosovës ta ndjejë që në fushë është një ekip që e jep shpirtin.”
Trajneri gjerman theksoi gjithashtu mbështetjen e madhe nga tifozët, të cilët i falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme. Për sa i përket të ardhmes së tij në drejtimin e kombëtares, Foda e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të largohet: “Jo, nuk e mendoj largimin. Qëllimi im ishte kualifikimi për në Kampionatin Evropian të ardhshëm dhe jo [domosdoshmërisht] për këtë Botëror. Gjërat shkuan më shpejt sesa që menduam, ishim vetëm një ndeshje larg. Qëllimi mbetet i njëjtë – kualifikimi në Evropian.”
