**Muriqi: Do të kisha dashur ta udhëhiqja ekipin në Amerikë, por fati nuk e favorizoi**

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, është shprehur krenar që është pjesë e ekipit kombëtar. Ai ka treguar gjithashtu një dëshirë të madhe për ta udhëhequr skuadrën në ndeshjet e Amerikës, duke theksuar se “ndonjëherë fati nuk të përcjell”.

Këto komente Muriqi i bëri pas ceremonisë ku presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dekoroi Kombëtaren e Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Në fjalën e tij, sulmuesi theksoi besimin te e ardhmja e futbollit kosovar. “Shpresojmë në të ardhmen, pasi kemi një gjeneratë shumë të mirë, një gjeneratë e artë po vjen, edhe pse ende nuk e kemi arritur potencialin e plotë të saj. Unë jam shumë krenar që jam pjesë e Kombëtares së Kosovës. Si kapiten, do të kisha pasur shumë dëshirë ta udhëhiqja ekipin në Amerikë, por ja, ndonjëherë fati nuk të përcjell,” tha Muriqi.

Ai e mbylli fjalimin duke falënderuar të gjithë në emër të ekipit dhe shpresoi se herën tjetër Kombëtarja do të jetë pjesë e një kualifikimi Evropian ose Botëror.