**Brazili siguron kualifikimin me fitore dramatike ndaj Japonisë, Casemiro: “Ky ekip mund ta fitojë Kupën e Botës”**

Kombëtarja e Brazilit siguroi një vend në fazën e 1/8-finale të Kupës së Botës, pasi mposhti Japoninë me rezultatin 2-1 në një ndeshje tejet dramatike. Fitorja erdhi falë golit të Gabriel Martinellit në minutën e 96-të, pasi brazilianët u gjendën në disavantazh në pjesën e parë.

Japonia shokoi Brazilin në minutën e 29-të. Një humbje topi nga Danilo në mesfushë i hapi rrugë një kundërsulmi të shpejtë, ku Kaisha Sano me një goditje të saktë nga distanca, e la të pafuqishëm portierin Alisson, duke shënuar për 1-0. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e aziatikëve, teksa brazilianët kishin vështirësi të çanin mbrojtjen e organizuar japoneze dhe nuk krijuan raste të qarta shënimi.

Goli i barazimit për Brazilin erdhi në minutën e 56-të. Casemiro, pas një krosimi në shtyllën e dytë, shfrytëzoi rastin dhe me një goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë, duke vendosur barazpeshën 1-1.

Fitorja u vulos në minutat shtesë. Në minutën e 96-të, pas një gabimi të mbrojtjes japoneze në zonën e tyre, Bruno Guimaraes asistoi Gabriel Martinellin, i cili shënoi pa vështirësi golin e fitores 2-1, duke ndezur festën në kampin brazilian.

Pavarësisht se nuk shkëlqeu gjatë gjithë ndeshjes, Casemiro ishte vendimtar me golin e tij të barazimit. Pas ndeshjes, mesfushori brazilian shprehu besimin e tij se Brazili ka potencialin të fitojë Kupën e Botës.

“Pika jonë më e fortë ishte mentaliteti. Nuk hoqëm dorë nga presioni në gjysmëfushën e tyre. Në Kupën e Botës, është thelbësore të vlerësohen lojtarët që vijnë nga stoli,” deklaroi Casemiro.

Ai shtoi: “Endrick hyri sot dhe luajti shumë mirë, Martinelli është gjithashtu një lojtar i shkëlqyer dhe Rayan është një zëvendësues i shkëlqyer për Raphinhan. Ky është shpirti, ky është një ekip që mund të fitojë Kupën e Botës.”