Kërkimet për gjetjen e Xhafer Raqit, të moshuarit që rezulton i zhdukur prej disa ditësh, po vazhdojnë intensivisht dhe tashmë janë shtrirë edhe në ajër, me përdorimin e dronëve. Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim (SHKKSH) ka njoftuar se po bashkëpunon ngushtë me Policinë dhe autoritetet e tjera kompetente për lokalizimin e tij.
SHKKSH ka theksuar se, në kuadër të këtij bashkëpunimi, ka riangazhuar sektorin e saj të dronëve me qëllim që të rrisë ndjeshëm mundësitë për gjetjen dhe lokalizimin sa më të shpejtë të zotit Raqi.
Aksioni i kërkimit për z. Xhafer Raqi ka rifilluar sot në orët e para të mëngjesit, pas një nate të tërë kërkimesh intensive. Shoqata ka shprehur shpresën se ai do të gjendet sa më shpejt dhe ka falënderuar të gjithë ata që po kontribuojnë dhe ofrojnë mbështetje në këtë aksion.
