Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë, 4 Korrikut. Ai theksoi rolin e tyre në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe partneritetin e fortë me Kosovën.
Nëpërmjet një postimi, Maqedonci citoi ish-presidentin amerikan Ronald Reagan, duke nënvizuar se liria duhet të mbrohet nga çdo brez.
“Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes”, shkroi Maqedonci. Ai shtoi se, me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, nderohet një komb, angazhimi i palëkundur i të cilit për lirinë ka frymëzuar botën.
Maqedonci theksoi se Kosova është krenare që qëndron krah Shteteve të Bashkuara, të cilat i cilësoi si mikun dhe aleatin më të ngushtë të vendit.
“Kosova është krenare që qëndron pranë mikut dhe aleatit tonë më të ngushtë. Gëzuar 4 Korrikun!”, përfundoi ai.
