Reshjet e dendura të shiut dhe breshrit, të cilat prekën rajonin e Shkupit dhe qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin e bujqësisë. Sipërfaqe të shumta të mbjella janë përmbytur, ndërsa bujqit kanë raportuar shkatërrimin e kulturave bujqësore, veçanërisht të perimeve, pemëtarisë dhe kulturave të tjera sezonale.

Një bujk nga fshati Shishovë i Komunës së Sarajit, ka publikuar pamje që tregojnë dëmtimin pothuajse të plotë të tokës së tij të mbjellë me pjepër si pasojë e breshrit. Edhe bujqit e Strumicës kanë raportuar dëme të mëdha në kulturat e shalqirit, të cilat, sipas tyre, ishin gati për treg, por u shkatërruan plotësisht nga breshri.

Në rajonin e Pelagonisë, bujqit kanë pësuar dëme të konsiderueshme në të mbjellat e duhanit. Ata i kanë bërë thirrje institucioneve kompetente të dalin në terren, të evidentojnë dëmet dhe të marrin masat e nevojshme për kompensimin e tyre. Në lidhje me çështjen e vlerësimit të dëmeve dhe kompensimit, Kryeministri Hristijan Mickoski u përgjigj shkurtimisht se dëmet do të kompensohen, por pa dhënë detaje të mëtejshme. I pyetur specifikisht nëse do të siguronte dëmshpërblim, Mickoski u shpreh: “Po, sigurisht.”

Megjithatë, një shqetësim mbetet ai i kompensimeve të dëmeve të shkaktuara nga reshjet e breshrit dhe shiut në vitet e kaluara, pasi shumë bujq në rajone të ndryshme ende raportojnë se nuk i kanë marrë ato.

Përveç dëmeve në kulturat bujqësore, reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në infrastrukturën rurale, duke dëmtuar rrugë lokale dhe sisteme kulluese. Autoritetet kanë njoftuar formimin e një shtabi krize dhe pritet që inspektorët të nisin vlerësimin e plotë të situatës në terren në ditët në vijim.