Ibrahimoviç: “Unë do ta kisha dërguar dikë në spital!” – Franca kualifikohet në qetësi

Franca ka siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Paraguajin me rezultatin minimal 1-0. Fitorja e “Gjelave” erdhi falë një goli të Kylian Mbappé nga pika e penalltisë. Ndeshja u shoqërua me tensione dhe provokime nga ana e kundërshtarëve, sjellje kjo që u komentua nga ish-sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimoviç, dhe trajneri francez, Didier Deschamps.

Zlatan Ibrahimoviç vlerësoi mënyrën se si kombëtarja franceze mbajti qetësinë dhe tregoi pjekuri përballë provokimeve. Në analizën e tij pas ndeshjes, ai theksoi se lojtarët francezë nuk ranë pre e sjelljes nervoze të paraguajanëve.

“Sot Franca mbajti qetësinë. Duhej të shmangte provokimet dhe ia doli. Po të kisha luajtur unë në këtë ndeshje, do të kisha marrë katër ose pesë kartonë të kuq dhe do të kisha dërguar dikë në spital. Nuk më pëlqejnë provokimet, por ato janë pjesë e futbollit. Mënyra më e mirë për t’u përgjigjur është të buzëqeshësh dhe të mos biesh në grackë, ashtu siç bëri Franca,” u shpreh Ibrahimoviç.

Edhe trajneri i Francës, Didier Deschamps, foli për sjelljen e kundërshtarëve, duke lavdëruar futbollistët e tij për vetëpërmbajtjen shembullore gjatë gjithë takimit.

“Nuk dua ta kritikoj arbitrin, por ne e mbyllëm ndeshjen me tre kartonë të verdhë, ndërsa ata nuk morën asnjë. Nuk kritikoj Paraguajin, sepse çdo skuadër luan në mënyrën që e konsideron më të mirë, por do të kisha preferuar të mos dëgjonim fyerjet që vinin nga stoli i kundërshtarëve,” deklaroi Deschamps.