Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka ngritur alarmin për gjendjen ekonomike në vend, duke theksuar se Kosova po paguan një kosto të lartë për shkak të mungesës së stabilitetit politik dhe vonesave në formimin e institucioneve të reja. Ai paralajmëroi se, ndryshe nga vendet e rajonit që garojnë për zhvillim ekonomik, në Kosovë ka lindur një bindje e gabuar se mund të funksionohet edhe pa qëndrueshmëri ekonomike.

Gërxhaliu vlerëson se paqëndrueshmëria politike po i kushton rëndë ekonomisë së Kosovës, duke ndikuar negativisht në investime, eksporte dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, z. Gërxhaliu shprehu shqetësimin se në Kosovë është krijuar një perceptim i gabuar, sipas të cilit vendi mund të funksionojë edhe pa institucione të qëndrueshme dhe pa stabilitet politik. Kjo qasje, theksoi ai, do të ketë pasoja afatgjata dhe të rënda.

Ai paralajmëroi se “kostoja që do të paguajë Kosova në mungesë të institucioneve do të jetë vërtet shqetësuese dhe barrën do ta mbajnë gjeneratat e reja.” Sipas tij, “është krijuar një komoditet viteve të fundit se në Kosovë mund të jetohet pa institucione dhe pa stabilitet politik. E tëra kjo është shndërruar në një normë, në një normalitet që duhet të na shqetësojë.”

“Ndërsa vendet e rajonit dhe ato evropiane garojnë për rol ekonomik, për inovacion, teknologji, dije dhe dominim në tregjet ndërkombëtare, në Kosovë është krijuar bindja se mund të ia dalim edhe pa ekonomi dhe pa një qëndrueshmëri ekonomike, e cila do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në aspektin social”, u shpreh Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, treguesit ekonomikë janë gjithnjë e më alarmues, ndërsa mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve dhe sektorit privat po e rëndon situatën.

Ai theksoi se “parametrat ekonomikë në Kosovë janë shqetësues, duke filluar nga rënia e normës së investimeve të huaja, tkurrja e eksportit të produkteve ‘Made in Kosova’, mungesa e një dialogu të mirëfilltë mes sektorit privat dhe atij publik.” Për më tepër, inflacioni, “i cili çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një sëmundje kancerogjene të ekonomisë dhe po godet drejtpërdrejt shportën e qytetarit, shton arsyet serioze për shqetësim.”

“Këto janë arsye që duhet t’i prekin në ndërgjegje politikanët, pa marrë parasysh pozicionin e tyre, që të harmonizojnë qëndrimet dhe të mos e kenë luftën për pushtet si faktor kryesor, duke dëmtuar qytetarin, ekonominë, imazhin e Kosovës dhe duke rënduar aspektin social”, deklaroi Gërxhaliu.

Ai shtoi se paralajmërimet e ekspertëve po përsëriten prej vitesh, por, sipas tij, ato nuk po merren seriozisht nga vendimmarrësit.

Sipas tij, “është e tepërt të bisedohet për procese ekonomike nga ana e ekspertëve, sepse këto paralajmërimet po përsëriten nga viti në vit dhe po hasin në vesh të shurdhër. Çdo kritikë apo rekomandim po pritet me armiqësi dhe ndëshkim. Por heshtja është krimi më i madh.” Ish-kryetari i OEK-ut shprehu besimin se “ka ardhur koha që të ndihmohet Kosova, që ekonomia të jetë prioritet, partneriteti të jetë shtyllë e qëndrueshmërisë ekonomike dhe imazhi i Kosovës të jetë aty ku e meriton, e jo që vendi të shndërrohet në një pikë të zezë të Ballkanit Perëndimor.”

Duke folur për hapat që duhet të ndërmarrin institucionet e reja pas formimit të tyre, Gërxhaliu theksoi se ekonomia duhet të depolitizohet dhe vendimmarrja të bazohet në ekspertizë profesionale.

“Problemet ekonomike të trashëguara janë grumbulluar aq shumë, saqë asnjë qeveri nuk do ta ketë të lehtë t’i zgjidhë me një shkop magjik. Është koha që ekonomia në Kosovë të depolitizohet dhe ekspertët e fushës të jenë aktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik, e jo që orientimi politik të përcaktojë trendin ekonomik. Dialogu dhe partneriteti me sektorin privat, me nivelin qendror e lokal dhe me aktorët socialë duhet të jenë prioritet, sepse vetëm përmes dialogut lind mirëkuptimi dhe zgjidhen problemet, e jo me logjikën ‘hajde të dialogojmë, por të vendoset si them unë’”, u shpreh ai.

Gërxhaliu krahasoi performancën ekonomike të Kosovës me vendet e rajonit, duke theksuar se eksportet e vendit mbeten shumë prapa tyre.

Ai prezantoi të dhëna krahasuese: “Në vitin 2023, Bosnja dhe Hercegovina kishte mbi 9.5 miliardë euro eksporte, Maqedonia e Veriut rreth 5 miliardë, Shqipëria shënon një trend shumë pozitiv, ndërsa Serbia ka tejkaluar 34 miliardë euro. Kosova ka mbetur në shifrën prej afër 900 milionë eurosh për produktet ‘Made in Kosova’. Prandaj, besoj se këto shifra duhet të jenë alarm për të reflektuar dhe për të dalë nga kjo zonë e komoditetit apo e konformitetit se mund të jetohet pa institucione dhe pa politikanë në Kosovë”, përfundoi Gërxhaliu.