**Ministri Maqedonci nderon dëshmorët në Morinë: ‘Ata janë themeli i Republikës së Kosovës’**

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë sot homazhe dhe ka vendosur lule pranë Kompleksit Memorial të Dëshmorëve në Morinë të Gjakovës, në nderim të atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës.

Me këtë rast, Maqedonci nënvizoi se sakrifica dhe vepra e dëshmorëve përbëjnë themelin mbi të cilin është ndërtuar Republika e Kosovës. Ai shtoi se kujtimi dhe nderimi për ta do të ruhen dhe kultivohen me përkushtim nga brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.