Neymar, fundi i një epoke? Pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës, ylli i futbollit mund të jetë drejt tërheqjes përfundimtare, duke lënë të kuptohet se ndeshja e fundit mund të ishte edhe e tij.
Ylli brazilian shënoi nga penalltia në humbjen dramatike 2-1 kundër Norvegjisë në fazën e 1/8-ve të finales, por goli i tij shërbeu vetëm si ngushëllim. Përfaqësuesja pesë herë kampione bote u largua nga turneu në mënyrë të dhimbshme, duke shkaktuar zhgënjim të madh.
Pas shumë diskutimeve në Brazil, ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain u përfshi në listën e 26 lojtarëve për Botërorin nga trajneri Tite. Megjithatë, Neymar e nisi turneun me probleme fizike dhe arriti të luante vetëm pak minuta, duke u aktivizuar nga stoli pikërisht në ndeshjen kundër Norvegjisë.
Pas eliminimit, 32-vjeçari, la të nënkuptohej se kapitulli i tij me kombëtaren braziliane ka marrë fund. “E nisa këtu, e përfundova këtu. Tani mbaroi,” u shpreh Neymar, duke iu referuar stadiumit “MetLife”, pikërisht vendit ku dikur kishte nisur rrugëtimin e tij me fanellën e Brazilit dhe ku tashmë mund ta ketë mbyllur atë.
Megjithatë, sipas raportimeve nga Brazili, largimi nga kombëtarja mund të mos jetë vendimi i vetëm madhor. Portali UOL bën me dije se Neymar do të kthehet në Brazil me një të ardhme ende të paqartë, ndërsa burime pranë lojtarit nuk përjashtojnë mundësinë që ai të vendosë të tërhiqet përfundimisht nga futbolli.
Aktualisht, Neymar po pushon me familjen në Florida, para se të marrë një vendim përfundimtar mbi hapat e ardhshëm të karrierës së tij. Sulmuesi është ende pjesë e klubit Santos, aty ku u rrit si futbollist, dhe ka një kontratë që zgjat deri në dhjetor. Rikthimi te skuadra konsiderohet skenari më i mundshëm, por jo i sigurt. Vendimi pritet të merret nga vetë Neymar, larg çdo presioni dhe në kohën që ai e konsideron të përshtatshme.
Sipas mediave braziliane, Neymar është ndier i lodhur nga presioni dhe gjithçka që rrethon botën e futbollit profesionist. Ai besohet se u është ankuar miqve për mungesën e vazhdueshme të vlerësimit nga shtypi brazilian, pavarësisht 15 viteve të shërbimit ndaj kombëtares. Botërori shihej si mundësia e fundit për të ringjallur dëshirën dhe emocionin për futbollin, por eliminimi i papritur e ka lënë thellësisht të zhgënjyer dhe të demoralizuar.
Klubi i Santos pret kthimin e tij, por ende nuk ka një datë të qartë se kur Neymar do t’i bashkohet skuadrës. Për momentin, përmenden tre skenarë të mundshëm për të ardhmen e tij: rikthimi normal te Santos, një transferim në një klub tjetër ku do të ketë më pak presion, ose tërheqja përfundimtare nga futbolli.
Babai i Neymarit, Neymar da Silva Santos Sr., ka bërë të qartë dëshirën e tij që djali të mos ndalet ende. Në një mesazh publik, ai i kërkoi të birit të vazhdojë të luajë dhe të rigjejë gëzimin që dikur e kishte me topin në këmbë. “Biri im, vazhdo të luash futboll. Rigjeje buzëqeshjen në fushë. Sot je i shëndetshëm dhe Zoti të ka dhënë sërish mundësinë të bësh atë që gjithmonë e ke dashur,” ishte mesazhi emocionues i tij.
Neymar e mbyll kapitullin me Brazilin si golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares, me 80 gola në 130 paraqitje. Megjithatë, mungesa e një titulli të Kupës së Botës do të mbetet pengu më i madh i karrierës së tij ndërkombëtare. Tani, pyetja kryesore mbetet: a do të vazhdojë Neymar të luajë në nivel klubesh, apo eliminimi i papritur nga Norvegjia do të shënojë fundin e një epoke të tërë në futbollin botëror?
