Aeroplani i Brazilit kthehet me vetëm një futbollist pas eliminimit nga Kupa e Botës

**Rio de Janeiro, 8 korrik 2026** – Ëndrra e Brazilit për të fituar Kupën e Botës mori fund papritur pas një humbjeje tronditëse 1-2 ndaj Norvegjisë në fazën e 1/8-ave. Ky eliminim shokues solli një kthim të pazakontë në shtëpi, me aeroplanin e kombëtares drejt Rio de Janeiros që transportonte vetëm një futbollist.

Pas debaklit, skuadra praktikisht u shpërbë. Lojtarëve iu dha pushim të dielën në mbrëmje dhe secili udhëtoi drejt destinacioneve të ndryshme nëpër botë. Në aeroplanin e destinuar për në Rio de Janeiro, së bashku me pjesën tjetër të delegacionit, ishte vetëm një futbollist: mbrojtësi Danilo, sipas raportimeve të gazetës spanjolle AS.

Të gjithë futbollistët që luajnë për klubet evropiane nisën menjëherë pushimet e tyre, shumë më herët se sa ishte parashikuar. Nga ana tjetër, ata që garojnë në kampionatin brazilian morën një javë pushim përpara se të riktheheshin në klubet e tyre dhe të rifillonin garat vendase.

Ky kthim i pazakontë në atdhe tërhoqi vëmendje të gjerë. Danilo, mbrojtës me një karrierë të pasur, ka luajtur për klube të njohura si Santos, Porto, Real Madrid, Manchester City dhe Juventus. Në Kupën e Botës, ai u fut në lojë në pushim të pjesës së parë të ndeshjes së parë dhe luajti të gjitha katër takimet e mbetura.

Së bashku me Danilon, në aeroplan udhëtuan edhe anëtarë të stafit të trajnerëve, si dhe pjesëtarë të stafit përgjegjës për funksione të ndryshme gjatë turneut. Gjithashtu, ishte i pranishëm edhe portieri Leo Nannetti, i cili, megjithëse nuk ishte në listën zyrtare të skuadrës, mori pjesë në çdo seancë stërvitore për të ndihmuar me aktivitetet.