Juventusi shfaq interes serioz për yllin argjentinas Emiliano Martinez

Klubi italian Juventus ka shfaqur interes të thellë për portierin e kombëtares argjentinase dhe Aston Villas, Emiliano Martinez, i njohur si “Dibu”. Interesi i ‘Zonjës së Vjetër’ për yllin e Premier Ligës është konfirmuar nga burime pranë klubit.

Martinez, i cili aktualisht është i angazhuar me kombëtaren e Argjentinës në Copa América 2024, mbetet një objektiv kyç për ‘Bardhezinjtë’ në këtë afat kalimtar veror.

Portieri 31-vjeçar ishte pranë largimit nga Aston Villa verën e kaluar, me Manchester United që shfaqte interes të madh. Megjithatë, ai vendosi të qëndrojë në “Villa Park”, duke ndihmuar skuadrën të siguronte kualifikimin në Ligën e Kampionëve dhe të kishte një ecuri të mirë në kompeticionet evropiane.

Që nga transferimi i tij nga Arsenali te Aston Villa në vitin 2020, Martinez ka regjistruar 60 ndeshje pa pësuar gol në Premier Ligë. Vetëm Ederson (70), Alisson (69), David Raya (68) dhe Jordan Pickford (61) kanë më shumë ndeshje pa pësuar gol në të njëjtën periudhë.

Ndërkohë, në lidhje me lëvizjet në tregun e transferimeve, CEO i Sassuolos, Giovanni Carnevali, ka deklaruar: “Emiliano Martinez? Kemi disa negociata në zhvillim. Duhet kohë për të reflektuar, sepse nuk duam të veprojmë me nxitim. Tregu ndryshon çdo ditë.”

“Mjafton të shikoni Dibu Martinezin, i cili po luan në Copa América… duhet të presim që kjo të përfundojë.”

Carnevali shtoi se “ka shumë situata në zhvillim dhe një klub si Juventusi duhet të jetë i hapur në disa fronte të ndryshme dhe të jetë i vëmendshëm ndaj çdo mundësie që mund të paraqitet.”

Ndërkohë, thuhet se vetë “gardiani” argjentinas është i pajtimit për t’iu bashkuar skuadrës italiane.