De Bruyne me kokën lart pas eliminimit, hap dilemën për të ardhmen me Belgjikën
Kevin De Bruyne ka folur pas eliminimit të Belgjikës nga Kupa e Botës 2026, pas humbjes 2-1 kundër Spanjës në çerekfinale.
Mesfushori belg u shpreh krenar për paraqitjen e skuadrës së tij dhe la të hapur mundësinë për të vijuar karrierën me kombëtaren, siç raporton “Gazeta Express”.
“Besoj se zhvilluam një ndeshje të mirë. E dinim se Spanja do ta kishte më shumë topin në zotërim, por, përveç disa rasteve dhe gjuajtjeve nga distanca, mendoj se u mbrojtëm mirë. Edhe ne krijuam disa mundësi. Është për të ardhur keq që u eliminuam”, deklaroi De Bruyne.
35-vjeçari foli gjithashtu për performancën e tij personale në turne, duke theksuar se është krenar për kontributin e dhënë, pavarësisht pritshmërive të larta.
“Jam krenar për Botërorin që zhvillova. E di se të gjithë presin që unë të bëj gjithmonë diferencën, por kam kaluar dy ose tre vite të vështira dhe kam kryer gjithashtu një operacion të rëndësishëm. Jam 35 vjeç. Jam krenar që isha këtu, që dhashë maksimumin çdo ditë dhe që u përpoqa të jem një shembull për këtë skuadër të re”, u shpreh ai.
Në fund, De Bruyne u pyet nëse kjo ishte ndeshja e tij e fundit me fanellën e kombëtares belge.
“Nuk besoj. Por më lini të pushoj pak. Ka qenë një vit shumë i ngarkuar, pastaj do të shohim”, përfundoi kapiteni belg, duke lënë të hapur të ardhmen dhe duke mos konfirmuar largimin përfundimtar nga kombëtarja.
