Norvegjia dhe Anglia përballen në çerekfinalen e Botërorit

Sonte, me fillim nga ora 23:00, stadiumi “Hard Rock” në Miami do të presë një nga çerekfinalet më joshëse të Kupës së Botës 2026, ku Norvegjia dhe Anglia do të matin forcat në një ndeshje që premton spektakël dhe emocione deri në frymën e fundit.

Kjo përballje vë përballë dy nga sulmuesit më të spikatur në botë, Erling Haaland dhe Harry Kane, të cilët kanë qenë udhëheqësit e ekipeve të tyre gjatë këtij Botërori. Haaland ka drejtuar Norvegjinë drejt një rrugëtimi historik, ndërsa Kane mbetet shtylla kryesore e sulmit për “Tre Luanët”.

Norvegjia vjen në këtë sfidë me besim të lartë, pasi eliminoi Brazilin në fazën e të tetës së finales, duke treguar se nuk është më thjesht një ekip surprizë, por një pretendente serioze. Trajneri Ståle Solbakken ka theksuar se skuadra e tij nuk ndihet më e impresionuar nga skena e madhe dhe beson se mund ta kalojë edhe Anglinë nëse paraqitet në formën më të mirë.

Nga ana tjetër, Anglia e Thomas Tuchel kaloi një ndeshje të vështirë përballë Meksikës dhe vazhdon përpjekjet për të fituar trofeun e parë botëror pas 60 vitesh. Mesfusha konsiderohet si pika më e fortë e anglezëve, ndërsa paqartësitë kryesore mbeten në sulm, ku Tuchel ka provuar emra të ndryshëm gjatë kampionatit.

Përveç duelit mes Haalandit dhe Kane, shumë vëmendje do t’i kushtohet edhe rivalitetit në krahët e sulmit. Anglia ka ndryshuar vazhdimisht formacionin në këto pozicione, ndërsa Norvegjia ka siguruar qëndrueshmëri me Antonio Nusën dhe Alexander Sørloth, të mbështetur nga lojtarë që kanë bërë diferencën duke ardhur nga stoli.

Një faktor që mund të ketë ndikim të theksuar në ritmin e lojës janë edhe temperaturat e larta në Miami. Aty pritet vapë dhe lagështi e madhe gjatë ndeshjes, kushte që i kanë detyruar të dyja skuadrat të përshtatin përgatitjet e tyre.

Fituesi i kësaj sfide do të sigurojë një vend në gjysmëfinale, ku do të përballet me fituesin e duelit mes Argjentinës dhe Zvicrës. Një ndeshje që premton futboll të nivelit më të lartë dhe që mund të vendoset nga një çast magjik i dy golashënuesve kryesorë të këtij Botërori.