**Ndeshja Angli-Norvegji: A do të nisë në kohë çerekfinalja e Kupës së Botës?**

Anglia dhe Norvegjia do të përballen në çerekfinalen e Kupës së Botës, me ndeshjen e planifikuar të nisë në orën 23:00 sipas kohës sonë (17:00 me orën lokale). Megjithatë, deri pak orë para takimit, kishte shqetësime serioze për një shtyrje të mundshme të fillimit.

Përballja e Anglisë në raundin e 1/8-ve kundër Meksikës u shty gjithashtu për një orë për shkak të kushteve atmosferike pranë stadiumit “Azteca”. Kjo vonesë nuk ndikoi në rrugëtimin e “Tre Luanëve”, të cilët fituan 3-2 në Mexico City ndaj ekipit vendas, duke i shkaktuar Meksikës vetëm humbjen e tretë në stadiumin legjendar “Azteca” që nga inaugurimi i tij në vitin 1966.

Para sfidës me Norvegjinë, ekzistonte frika se stuhitë me bubullima mund të shkaktonin një tjetër vonesë, por raportet më të fundit meteorologjike i kanë zbutur ndjeshëm këto shqetësime. Shumica e parashikimeve tregojnë se moti do të jetë shumë i nxehtë, me temperaturën e lagështisë (Wet Bulb Globe Temperature – WBGT) që pritet të luhatet mes 29 dhe 32 gradë Celsius. Ndërkohë, sipas “AccuWeather”, parashikohet një mundësi 43-përqindëshe për reshje të lehta shiu.

Kjo do të thotë se mundësia që ndeshja të shtyhet para fillimit është shumë e vogël, ndërsa faktori kryesor i shqetësimit mbetet temperatura e lartë. Sipas udhëzimeve të FIFPro, sindikatës ndërkombëtare të futbollistëve, një vlerë e WBGT mbi 28 gradë Celsius kërkon “shtyrjen ose pezullimin e ndeshjeve” derisa kushtet të bëhen më të sigurta. Megjithatë, një skenar i tillë nuk pritet të materializohet, pasi në të dyja pjesët e çdo ndeshjeje të Kupës së Botës janë parashikuar pauza për hidratim.

Si rezultat, gjasat që sfida të nisë në orarin e planifikuar vlerësohen rreth 90 për qind. Skenari i dytë më i mundshëm, ngjashëm me ndeshjen kundër Meksikës, është një shtyrje prej 30 deri në 75 minutash. Ndërkohë, mundësia për një vonesë nga një deri në dy orë vlerësohet vetëm 3%, ndërsa ajo mbi dy orë është rreth 1%.

Kjo lidhet me raportet e “AccuWeather”, sipas të cilave stuhitë nuk pritet të paraqesin rrezik deri pak pas orës 19:00 me kohën lokale, kur probabiliteti për reshje arrin në 51 për qind. Kjo nënkupton se, nëse ndeshja mbyllet brenda 90 minutave të rregullta, nuk pritet asnjë ndërprerje. Por nëse sfida shkon në vazhdime dhe penallti, atëherë rritet mundësia e një pezullimi, pasi loja do të zhvillohej pas orës 19:00 lokale. Në këtë rast, gjasat për një ndërprerje rriten në rreth 25 për qind.

Kjo për shkak të protokolleve të FIFA-s për rastet e stuhive dhe goditjeve të rrufesë gjatë ndeshjeve. Sipas rregullores, loja duhet të ndërpritet menjëherë nëse një rrufe godet brenda një rrezeje prej tetë miljesh (rreth 13 kilometrash) nga stadiumi. Lojtarët dhe stafet duhet të largohen nga fusha dhe të kthehen në dhomat e zhveshjes, ndërsa tifozët strehohen në ambientet e brendshme të stadiumit. Ndeshja mund të rifillojë vetëm pasi të kenë kaluar të paktën 30 minuta pa asnjë goditje rrufeje brenda asaj zone. Edhe atëherë loja nuk nis menjëherë, pasi futbollistët kanë të drejtë për 15 minuta nxehje përpara se arbitri të japë sinjalin për rifillimin e takimit.

Pra, për momentin nuk ka arsye serioze për të pritur një vonesë në fillimin e çerekfinales mes Anglisë dhe Norvegjisë. Megjithatë, nëse ndeshja shkon në vazhdime, ekziston mundësia reale që ajo të ndërpritet për shkak të kushteve atmosferike, nëse parashikimet e motit rezultojnë të sakta.