Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj arbitrit pas eliminimit të skuadrës së tij nga Kupa e Botës, pas humbjes ndaj Argjentinës. Yakin nuk fshehu zhgënjimin dhe kritikoi ashpër vendimet e arbitrave, duke theksuar veçanërisht përjashtimin me karton të kuq të sulmuesit Breel Embolo, i cili sipas tij, vendosi rrjedhën e ndeshjes.

Në konferencën për shtyp, trajneri zviceran kritikoi hapur gjyqtarin portugez João Pinheiro, duke e cilësuar vendimin për Embolon si të pajustifikueshëm. “Për atë karton nuk kishte asnjë arsye. Nuk e kuptoj fare. Ishte një situatë e padëmshme, pa rrezik. Gabimi i arbitrit na dëmtoi dhe ndryshoi plotësisht planin tonë të lojës,” deklaroi Yakin.

Ai vazhdoi më tej, duke shtuar se vendimi ishte “thjesht i pabesueshëm” dhe se nuk ishte aspak dakord. “Pavarësisht kontaktit të qartë, nuk e kuptoj se si arbitri dhe VAR-i arritën në atë përfundim,” theksoi trajneri.

Yakin u shpreh se Zvicra kishte çdo të drejtë të ndihej e penalizuar, megjithatë shmangu çdo insinuatë për favorizim të Argjentinës. “Argjentina është një skuadër fantastike, por ndeshje të këtij niveli nuk duhet të vendosen nga vendime arbitrazhi kaq të diskutueshme,” tha ai. “Nuk do të thosha se Argjentina favorizohet. Ishte një ndeshje e hapur dhe e luftuar nga të dyja ekipet. Nuk fitoi futbolli, ne u ndëshkuam nga një gabim arbitrimi. Ishte momenti vendimtar i takimit. Mund të ankohemi, por duhet t’i bëj komplimente Argjentinës. Nuk dua të shtoj asgjë më shumë.”

Pavarësisht kritikave ndaj arbitrimit, trajneri zviceran analizoi edhe aspektin teknik të përballjes, duke pranuar cilësinë e skuadrës së Lionel Scalonit. “Duke analizuar ndeshjet e fundit, kishim vërejtur se Argjentina lë hapësira kur merr rreziqe. Ata luajnë siç u ka hije kampionëve,” u shpreh Yakin.

Në fund, ai uroi Argjentinën për vazhdimin e turneut dhe i dëshiroi fat Lionel Messit dhe Kombëtares së Argjentinës, duke shtuar se “cilado nga katër gjysmëfinalistet mund ta fitojë Kupën e Botës.”