Xabi Alonso flet shkurt për transferimin e dështuar të Granit Xhakës

Trajneri i Chelseat, Xabi Alonso, ka komentuar për herë të parë interesimin e klubit londinez për mesfushorin shqiptar, Granit Xhaka, por ka refuzuar të japë detaje rreth çështjes. Deklarata e tij vjen pas dështimit të përpjekjeve të Chelseat për të transferuar kapitenin e Sunderlandit në “Stamford Bridge”.

Xhaka, i cili kishte bashkëpunuar me sukses me trajnerin spanjoll te Bayer Leverkuseni, fillimisht ishte i hapur për një rikthim nën drejtimin e tij. Megjithatë, Sunderlandi mbajti një qëndrim të palëkundur gjatë gjithë negociatave, duke e bërë të qartë se kapiteni i tyre nuk ishte në shitje. Klubi anglez refuzoi të negociojë largimin e tij, pasi e konsideron Xhakën një pjesë kyçe të projektit të trajnerit Regis Le Bris.

Pas bisedimeve me drejtuesit e Sunderlandit, Xhaka vendosi të vazhdojë karrierën te ky klub. Mundësia për të udhëhequr skuadrën si kapiten në garat evropiane, si dhe projekti afatgjatë i klubit, ndikuan në vendimin e tij për të qëndruar në “Stadium of Light”.

I pyetur për interesimin e Chelseat, Alonso u përgjigj shkurt dhe prerë:

“Granit Xhaka? Nuk kam asnjë koment për lojtarët që nuk janë këtu me ne.”

Me këtë zhvillim, Sunderlandi e konsideron çështjen të mbyllur. Xhaka pritet të udhëheqë skuadrën e Regis Le Bris në sezonin e ri. Ai iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar nga Bayer Leverkuseni në një marrëveshje me vlerë deri në rreth 17 milionë funte dhe shihet si një nga liderët e ekipit për sezonin 2026/27, ku klubi do të rikthehet në garat evropiane.