Policia e Kosovës do të pajiset me uniforma të reja, nënshkruhet kontrata milionëshe
Pas më shumë se dy vitesh pritjeje, Policia e Kosovës pritet të pajiset së shpejti me uniforma të reja. Kontrata për furnizimin me uniforma policore u nënshkrua ditë më parë, duke finalizuar kështu një proces të gjatë tenderimi, bëjnë të ditur mediat.
Ky furnizim vjen pas një periudhe të zgjatur vonesash, gjatë së cilës procesi u shoqërua me ankesa, pezullime dhe rivlerësime të njëpasnjëshme. Ndërkohë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës vazhduan të përdorin uniforma të vjetruara dhe të amortizuara nga përdorimi i përditshëm në terren.
Kontrata, me vlerë prej 10.64 milionë eurosh, parashikon furnizimin me uniforma standarde për zyrtarët policorë, si femra ashtu edhe meshkuj, për një periudhë trevjeçare.
Me zbatimin e kësaj kontrate, pritet që zyrtarët policorë të pajisen me uniforma më të përshtatshme për kryerjen e detyrave funksionale, pas një pritjeje të gjatë për rinovimin e veshjes që përbën pjesë të përditshmërisë së tyre në punë.
