Ministrja Kusari-Lila viziton panairin në Podujevë: Mbështetja për gratë ndërmarrëse, prioritet institucional

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka vizituar sot panairin tradicional të organizuar nga Shoqata “Duart e Arta Llapjane” në bulevardin e Podujevës.

Gjatë kësaj vizite, e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, Kusari-Lila vlerësoi lart punën dhe angazhimin e grave kosovare në ruajtjen e traditës, promovimin e artizanatit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Ajo theksoi se panaire të tilla janë thelbësore për promovimin e trashëgimisë kulturore, gastronomisë tradicionale dhe produkteve artizanale të krijuara nga gratë, duke dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen dhe prezantimin e vlerave vendore.

Kusari-Lila bëri me dije se mbështetja institucionale për gratë ndërmarrëse mbetet një prioritet kyç për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Sipas ministres, përmes ‘Grantit për Gratë në Biznes’ po krijohen mundësi konkrete që gratë të zgjerojnë aktivitetet e tyre, të rrisin kapacitetet prodhuese dhe të forcojnë pozitën e tyre në treg.

“Gratë anembanë Kosovës, me duart, talentin dhe përkushtimin e tyre, po ruajnë traditën, krijojnë vlera dhe japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit,” deklaroi Kusari-Lila.