Filmi kosovar “Shame and Money” i Visar Morinës, shënon premierën rajonale në garën kryesore të edicionit të sivjetmë të Sarajevo Film Festival, një nga ngjarjet më prestigjioze kinematografike në rajon.
Ky prodhim, me skenar dhe regji nga Visar Morina, vjen nga Vicky Bane dhe Schuldenberg Films, në bashkëprodhim me Eagle Eye Films Kosova, Vertigo Ljubljana, On Film Production, List Production dhe Quetzalcoatl.
Në rolet kryesore interpretojnë aktorët Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica dhe Alban Ukaj.
Skenari është vepër e Visar Morinës dhe Doruntina Bashës. Producentët e filmit janë Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega, Pia Hellenthal dhe vetë Visar Morina, ndërsa në mesin e bashkëproducentëve figurojnë Eshref Durmishi, Besnik Krapi, Danijel Hočevar, Dritan Huqi, Marija Dimitrova dhe Marc Goyens.
Filmi “Shame and Money” ka marrë mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, si dhe të një sërë institucionesh dhe fondesh ndërkombëtare të filmit. Këtu përfshihen: Eurimages – Council of Europe, German Federal Film Fund, Film- und Medienstiftung NRW, Slovenian Film Centre, Qendra Kombëtare e Kinematografisë Shqiptare, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut, Tax Shelter of the Federal Government of Belgium, WDR dhe Fondation Suisa.
Përzgjedhja në këtë garë prestigjioze shënon një tjetër sukses të rëndësishëm për kinematografinë kosovare, duke konfirmuar praninë dhe cilësinë e saj në skenën ndërkombëtore.
