Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këtë të premte ka iniciuar rast për veprën penale “Kanosje”, pas një ankese të paraqitur në Stacionin Policor në Prizren.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë ditës një person me inicialet Sh.B. është paraqitur në polici dhe ka deklaruar se ndihet i kanosur pas publikimit të një interviste në media, në të cilën ai ishte përmendur si i dyshuar për krime lufte.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar procedura për rastin “Kanosje”.

Policia ka bërë të ditur se personi ndaj të cilit është paraqitur ankesa, E.SH., është ftuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në prani të avokatit.

Pas përfundimit të intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Kanosje”, ndërsa i dyshuari është liruar dhe do të procedohet në procedurë të rregullt.

Për informacione të tjera lidhur me rastin, Policia ka udhëzuar që të kontaktohet prokuroria kompetente.