Arrestohet pronari i servisit në Tiranë: Mashtronte qytetarët dhe tentonte të shiste makinat e tyre.
Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e shtunë një 37-vjeçar, pronar i një servisi në zonën e “Astirit”. Ai akuzohet për mashtrim, pasi dyshohet se merrte paratë nga qytetarët për riparimin e automjeteve të tyre, por nuk i kryente shërbimet e dakorduara.
I arrestuari, M. H., 37 vjeç, u kap pas kallëzimeve të shumta nga klientë të pakënaqur. Sipas hetimeve të policisë, përveç moskryerjes së riparimeve pavarësisht pagesave të marra, ai dyshohet se në disa raste ka tentuar të shesë edhe automjetet që i ishin lënë për shërbim.
Operacioni policor, i koduar “Skema”, u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 6. Deri tani janë dokumentuar gjashtë raste të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbulimin e rasteve të tjera të mundshme. Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
