Rihapet rasti gjyqësor për krime lufte ndaj Milorad Gjokoviqit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të rihapë shqyrtimin gjyqësor në çështjen penale kundër Milorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare.
Gjyqtarja Donika Shala-Abdyli njoftoi se ky vendim është marrë për plotësimin e procedurës, pasi shqyrtimi fillestar kishte përfunduar më 21 korrik 2026. Ajo theksoi nevojën e rihapjes për të kompletuar procedurën ligjore, duke sqaruar se data e seancës së rihapur do të caktohet në koordinim me palët.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Gjokoviqi dyshohet se gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në zona të tjera të rajonit, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka kryer veprime të tilla si vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të dhjetëra civilëve shqiptarë.
Gjokoviqi akuzohet gjithashtu për plaçkitje, djegie dhe shkatërrim të shtëpive të popullsisë civile shqiptare.
Në aktakuzën e hartuar më 23 qershor 2023, theksohet se forcat e rregullta ushtarake kishin hyrë nga ana veriore e fshatit Ozdrim, përmes rrugës rajonale Pejë-Mitrovicë, ndërsa nga ana perëndimore, në drejtim të fshatit Vitomiricë, ishin futur grupe paramilitare, të përziera edhe me pjesëtarë të njësive speciale ushtarake.
Këto forca kishin filluar të shtinin me armë drejt popullsisë civile, duke shkaktuar vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H.
Gjithashtu, tre civilë të plagosur nga të shtënat, A.G., H.G. dhe M.G., fillimisht ishin transportuar në Spitalin e Pejës, por më pas, sipas aktakuzës, u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë.
Ndërkaq, pesë civilë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., dyshohet se ishin vrarë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk janë gjetur dhe ata mbeten ende persona të zhdukur.
