Gjermania synon sërish Kupën e Botës pas vitit 2006

Gjermania po përgatitet të bëhet sërish qendra e vëmendjes së futbollit botëror. Vendi synon të organizojë Kupën e Botës, pas eksperiencave të suksesshme të vitit 1974 dhe 2006. Këtë e bëri të ditur Axel Hellmann, anëtar i bordit drejtues të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), sipas raportimeve të ‘The Athletic’.

DFB po shqyrton seriozisht mundësinë për të paraqitur një kandidaturë për turnetë e viteve 2038 ose 2042. Hellmann citohet të ketë deklaruar: “Do të na pëlqente shumë ta organizonim. Ekziston një iniciativë nga presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, dhe nga Federata, për të paraqitur një ofertë për turneun e vitit 2042 ose ndoshta edhe të vitit 2038.”

Megjithatë, zyrtari gjerman theksoi se vendimi përfundimtar dhe mundësia reale e paraqitjes së një kandidature do të varet plotësisht nga rregulloret dhe kërkesat që do të vendosë FIFA. Përgatitjet paraprake për një fushatë të mundshme janë tashmë në nisje. Megjithatë, detajet mbi afatet specifike dhe formatin e përfshirjes së Gjermanisë në garë do të qartësohen vetëm pasi FIFA të publikojë kriteret përkatëse.

Kujtojmë se Kupa e Botës e vitit 1974 u mbajt në Gjermaninë Perëndimore, ndërsa Gjermania e bashkuar e organizoi sërish turneun në vitin 2006.