Tenderi i Prishtinës, me paqartësi financiare: Një firmë ligjore kërkon sqarime

Një firmë ligjore ka adresuar një ankesë kundër kritereve financiare të përcaktuara nga Komuna e Prishtinës për tenderin e “Shërbimeve të përfaqësimit, avokaturës dhe procedurave të ndërmjetësimit”. Kompania kërkon sqarime për vlerën e qarkullimit vjetor që u kërkohet të dëshmojnë operatorët ekonomikë.

Në kërkesën për rishqyrtim, e datës 3 nëntor 2026, kompania “Investment Corporate Lawyers” (ICL) ka konstatuar mospërputhje në dokumentacionin e tenderit. Sipas saj, në dokumente figurojnë dy vlera të ndryshme të qarkullimit vjetor: 200 mijë euro dhe 150 mijë euro.

Kjo mospërputhje, sipas ICL-së, krijon paqartësi dhe pasiguri për operatorët ekonomikë lidhur me kushtin financiar që ata duhet të plotësojnë për të marrë pjesë në garë.

ICL kërkon nga Komuna e Prishtinës që të sqarojë cilën prej vlerave të qarkullimit vjetor duhet të dëshmojnë ofertuesit – nëse kriteri është 150 mijë apo 200 mijë euro – si dhe cilat dokumente financiare specifike duhet të dorëzohen për dëshmimin e këtij kushti.

Përveç kriterit financiar, kompania ka kundërshtuar edhe disa kërkesa të tjera të tenderit, siç janë: së paku tre vjet përvojë për zyrën ligjore, angazhimi i një avokati me mbi shtatë vjet përvojë pas licencimit dhe numri minimal prej pesë avokatësh të licencuar.

Kompania ka kërkuar rishikimin e plotë të kritereve dhe korrigjimin e të gjitha paqartësive të identifikuara në dosjen e tenderit.

Duhet theksuar se pretendimet e ICL-së përbëjnë qëndrimet e kompanisë ankuese dhe nuk përbëjnë një konstatim përfundimtar se Komuna e Prishtinës ka shkelur legjislacionin e prokurimit publik.