E ardhmja e Harry Kane-t: Bayerni fillon negociatat për zgjatjen e kontratës
Drejtori ekzekutiv i Bayern Munichut, Jan-Christian Dreesen, ka folur së fundmi për të ardhmen e sulmuesit anglez Harry Kane dhe mundësinë e zgjatjes së kontratës së tij me klubin bavarez.
“Vullneti për të vazhduar së bashku ekziston nga të dyja palët. Tani duhet ta shohim nëse idetë tona përputhen,” deklaroi Dreesen për “Sport 1”. Ai la të kuptohet se bisedimet për një marrëveshje të re do të varen nga gjetja e pikave të përbashkëta që kënaqin si klubin, ashtu edhe lojtarin.
Kane, i cili iu bashkua Bayernit në vitin 2023 nga Tottenham, ka një kontratë që skadon në vitin 2027. Klubi bavarez dëshiron ta mbajë sulmuesin anglez edhe përtej këtij afati dhe ka nisur diskutimet për një marrëveshje të re.
Në Mynih janë jashtëzakonisht të kënaqur me paraqitjet e kapitenit të Anglisë, i cili është kthyer në një ndër liderët kryesorë të skuadrës. Me një numër mbresëlënës golash të shënuar në sezonin e tij debutues, Bayerni e konsideron atë një element kyç të projektit të ardhshëm dhe nuk dëshiron ta humbasë pas vetëm disa sezonesh në Gjermani.
Për të siguruar vazhdimësinë afatgjatë të tij dhe për të shmangur mundësinë e humbjes së lojtarit pa kompensim në të ardhmen, gjiganti bavarez po punon intensivisht për ta bindur atë të mbetet në “Allianz Arena” edhe për shumë vite.
