Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se po vazhdon aksioni për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në pronat publike përreth Liqenit të Ujmanit.
Sipas saj, deri më tani janë rrënuar 17 objekte/villa, ndërsa aksioni do të vazhdojë pa kompromis dhe do të shtrihet edhe në pjesë të tjera të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së pronës publike dhe zbatimit të ligjit.
Ndërkohë, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, po vazhdon operacionin në terren përgjatë Liqenit të Ujmanit.
Në këtë aksion janë angazhuar inspektorët përkatës të ministrisë, të mbështetur nga Policia e Kosovës, ndërsa veprimet po ndërmerren në kuadër të mbrojtjes së pronës publike dhe vendosjes së rendit ligjor.
