Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të kësaj partie, ka thënë se procesi i sotëm është pjesë e demokracisë së brendshme të LDK-së, raporton Ekonomia Online.

Haziri deklaroi se mocioni ndaj kryetarit të LDK-së është një e drejtë e paraparë me statut, e cila është respektuar nga partia, ndërsa tha se delegatët do të diskutojnë për rrugën që duhet të ndjekë LDK-ja.

“Përkundër rezultatit të fundit, ne kemi hyrë në kufijtë e debatit të brendshëm edhe në kufijtë e asaj që quhet demokraci e brendshme, që është mocioni i lidhur me kryetarin e LDK-së”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, kërkesa për mbajtjen e kuvendit është bërë në përputhje me normat statutare të partisë.

“Natyrisht, në normën statutare është shfrytëzuar kjo e drejtë nga kolegët tanë që kanë organizuar mocion. Ne e kemi respektuar”, u shpreh ai.

Haziri tha se gjatë kuvendit pritet të zhvillohet debat dhe të kërkohet zgjidhja më e mirë për të ardhmen e partisë dhe të vendit.

“Sot do të dialogojmë, debatojmë, gjejmë rrugën më të mirë që LDK-ja, këtë kërkesë duke realizuar, kalon në kërkesën e dytë që është po ashtu e rëndësishme, e lidhur me shtetndërtimin, funksionimin e Republikës edhe krejt atë që lidhet me të ardhmen e Republikës tonë”, ka deklaruar Haziri.