Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka lëshuar një paralajmërim urgjent për qytetarët amerikanë që ndodhen në Lindjen e Mesme, duke u kërkuar atyre të “shqyrtojnë mundësinë e largimit” ose të “jenë të përgatitur të largohen në rast se situata përshkallëzohet”.
Ky paralajmërim vjen në një kohë tensionesh të larta rajonale. Uashingtoni po shqyrton mundësinë e sulmeve të reja ndaj Iranit, të cilat mund të nisin që këtë fundjavë, sipas zyrtarëve amerikanë. Njëkohësisht, Teherani ka kërcënuar me sulme të mëtejshme ndaj vendeve që strehojnë baza ushtarake amerikane, raporton CNN.
DASH gjithashtu përsërit thirrjen që individët në rajon “të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar”. Ata duhet të jenë të përgatitur për anulime fluturimesh, mbyllje të përkohshme të hapësirës ajrore dhe ndërprerje të mundshme të udhëtimeve.
Në njoftim theksohet se qytetarët amerikanë që planifikojnë të udhëtojnë drejt Lindjes së Mesme duhet ta rishqyrtojnë seriozisht vendimin e tyre.
