**Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok: J.R. i vendosur në pranga**

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka arrestuar një person me inicialet J.R. Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe lidhet me dyshime për krime lufte në komunën e Zubin Potokut.

I dyshuari J.R. dyshohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në një njoftim për media, Policia e Kosovës theksoi se: “Arrestimi i të dyshuarit është rezultat i një pune intensive hetimore, të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale, në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.”

Më tej, njoftimi shton se: “Lidhur me rastin, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për çka publiku do të njoftohet në kohën e duhur.”