Valon Berisha befason: Goli spektakolar ishte aksidental, por thelbësor për fitoren e Zürichut

Mesfushori kosovar, Valon Berisha, ka befasuar me deklaratën e tij pas realizimit të një goli madhështor në fitoren e FC Zürich ndaj Servette, duke pranuar se goditja nuk ishte me synim të drejtpërdrejtë drejt portës.

Berisha shënoi me një goditje spektakolare nga një goditje e lirë, duke e lënë të pafuqishëm portierin kundërshtar, ndërsa topi përfundoi mjeshtërisht në këndin e portës.

Megjithatë, pas ndeshjes, ai deklaroi për mediat zvicerane se synimi i tij kishte qenë krejt tjetër.

“Kjo është pyetja e ditës, apo jo? Jo, unë thjesht doja të harkoja topin, dhe pastaj ai fluturoi në rrjetë. Sigurisht që jam shumë i lumtur, por jam më i lumtur me këtë fitore të luftuar”, theksoi Berisha.

Mesfushori kosovar foli gjithashtu për rolin e tij në FC Zürich, duke theksuar se ndihet mirë me përgjegjësitë e marra në skuadër.

“Gjithnjë më ka pëlqyer të drejtoj dhe të marr përgjegjësi. Jemi në rrugën e duhur, por ende kemi hapësira për përmirësim”, shtoi ai.

Pas ndeshjes foli edhe kapiteni i FC Zürich, Lindrit Kamberi, i cili e cilësoi fitoren si shumë të rëndësishme për moralin e ekipit.

“Pas paraqitjes ndaj St. Gallen, mendoj se e meritonim këtë. Dhamë gjithçka. Kjo është një fitore tepër e rëndësishme për moralin tonë. Kur merr tre pikë, atëherë i meriton”, deklaroi Kamberi.