Tifozët e Spartak Moskës kundërshtojnë ashpër transferimin e Mirlind Dakut
Shoqata e tifozëve të Spartak Moskës, e njohur si “Crazy North”, ka reaguar publikisht kundër transferimit të sulmuesit shqiptar Mirlind Daku nga Rubin Kazan, duke publikuar një deklaratë të fortë në kanalin e saj në Telegram.
Mirlind Daku pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore në klubin nga Moska, por ky transferim është pritur me kundërshtim të thellë nga grupi i tifozëve, siç raporton Indeksonline.
Në deklaratën e tyre, tifozët shkruajnë shprehimisht:
“Shprehim mospajtimin tonë të plotë me transferimin e mundshëm të Mirlind Dakut në klubin tonë. Duke u bazuar në të kaluarën e futbollistit shqiptar, parashikojmë një sërë problemesh brenda ekipit, i cili aktualisht është në gjendje të luftojë për objektiva të mëdha.
Pavarësisht bojkotit të Fan ID në ndeshjet e ekipit të parë, ne mbështesim popullin vëlla të Serbisë dhe qëndrimi ynë ndaj ustashëve, e veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve, mbetet i pandryshuar – lojtarë të tillë nuk kanë qenë kurrë pjesë e ekipit tonë dhe nuk duhet të jenë.
Pavarësisht se sa i mirë mund të jetë sulmuesi sipas standardeve të Premier Ligës Ruse, parimet duhet të jenë mbi rezultatet hipotetike. Daku nuk duhet të jetë pjesë e ekipit tonë!”
Sipas raportimeve, Spartaku i Moskës pritet të paguajë rreth 11 milionë euro për shërbimet e sulmuesit shqiptar.
