Festivali “Sunny Hill” përmbyll një edicion tjetër të suksesshëm në Prishtinë, duke ofruar tri netë të mbushura me muzikë, energji dhe emocione, të cilat tërhoqën mijëra vizitorë nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës.
I zhvilluar nga 31 korriku deri më 2 gusht, festivali solli në skenë disa prej yjeve më të njohur të muzikës ndërkombëtare. Nata e parë u dominua nga superylli i pop-it, Katy Perry, ndërsa mbrëmja e dytë solli në Prishtinë këngëtarin skocez Lewis Capaldi. Finalja, në anën tjetër, u vulos nga performanca e DJ-it dhe producentit me famë botërore, Martin Garrix.
Skenat e festivalit mirëpritën edhe emra të njohur të muzikës elektronike si Adam Port dhe Rampa (Keinemusik), Carlita, Seth Troxler dhe PAWSA. Pjesë e edicionit ishin gjithashtu artistë të shquar shqiptarë, përfshirë Dhurata Dora, Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son dhe Buta.
Nata finale ofroi një atmosferë elektrizuese, ku Martin Garrix performoi disa prej hiteve të tij më të njohura, duke e mbyllur festivalin me një spektakël mbresëlënës dritash, efektesh vizuale dhe muzikës elektronike, që mbajti audiencën të gjallë deri në orët e vona.
Ky edicion i sivjetëm konfirmoi edhe një herë “Sunny Hill Festival” si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon, duke e kthyer Prishtinën në një qendër të vërtetë të muzikës dhe argëtimit për tri netë radhazi.
