Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për katër persona, të dyshuar për shkaktim rreziku të përgjithshëm gjatë një ahengu familjar në fshatin Dobri Doll të Komunës së Vrapçishtit.
Kjo ndjekje penale vjen pas një kallëzimi të paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Katër personat nga Dobri Dolli dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 288, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e 31 korrikut, në oborrin e një shtëpie familjare gjatë një feste dasme. Të dyshuarit përdorën armë zjarri – tre pistoleta dhe një pushkë me markë e kalibër të papërcaktuar – me të cilat qëlluan në ajër. Ky veprim rrezikoi seriozisht jetën e një numri të madh personash të pranishëm në dasmë.
Prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake në Gostivar propozimin për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit. Kjo masë kërkohet për shkak të rrezikut të arratisjes, veçanërisht pasi njëri prej tyre, përveç shtetësisë maqedonase, posedon edhe shtetësi sllovene.
Ndërkohë, zyrtarë policorë të SPB Tetovë, pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale që tregonte të shtënat gjatë ahengut në Dobri Doll, kryen bastisje në disa lokacione më 1 gusht. Si rezultat i bastisjeve, u arrestuan gjashtë persona, ndërsa një tjetër u ftua për bisedë zyrtare. Gjatë këtyre operacioneve, u gjetën dhe sekuestruan armë dhe municione.
